Media belge: Grupet kriminale shqiptare nuk janë më “ushtarë”, por lojtarë globalë të kokainës
Sipas medias belge “Le Soir”, grupet kriminale shqipfolëse në Belgjikë kanë kaluar nga rrjetet e vogla të vjedhjeve, prostitucionit dhe kanabisit në organizata të fuqishme ndërkombëtare, të përfshira në trafikun e kokainës, pastrimin e parave dhe depërtimin në ekonominë e ligjshme.
Në një hetim të gjerë të realizuar nga “Le Soir”, në bashkëpunim me Knack dhe RTBF, theksohet se krimi i organizuar shqipfolës është bërë një fenomen “diskret, por destabilizues”. Sipas ekspertëve belgë, këto grupe janë aktive në të gjithë Belgjikën dhe kanë krijuar rrjete komplekse e të sofistikuara, veçanërisht në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe në prodhimin e tregtimin e kanabisit.
François Farcy, drejtues i Policisë Federale Gjyqësore në Liège-Huy-Verviers dhe një nga specialistët belgë të këtij fenomeni, thotë se grupet shqiptare janë fuqizuar ndjeshëm dhe sot përbëjnë një kërcënim ndërkombëtar. Sipas tij, ato nuk janë më “ushtarë të vegjël” të organizatave të tjera, por negociojnë si të barabartë me struktura të mëdha kriminale, në nivelin e ‘Ndrangheta-s apo karteleve meksikane.
Evolucioni i tyre ka nisur në fillim të viteve 2000, kur lidheshin kryesisht me vjedhje, prostitucion dhe trafik droge në shkallë të vogël. Më pas, përmes lidhjeve familjare, klanore dhe diasporës së gjerë, këto grupe zgjeruan aktivitetin në Belgjikë dhe më tej. Sipas autoriteteve belge, struktura e tyre bazohet shpesh te lidhjet e forta të besimit, familjes dhe klanit, çka u ka dhënë avantazh në bashkëpunimin me rrjete të tjera kriminale.
Pika e kthesës erdhi me trafikun e drogës. Nga kanabisi i prodhuar në Shqipëri, përfshirë zona si Lazarati, rrjetet kaluan te importimi masiv i kanabisit nga Kanadaja dhe SHBA përmes pikave si aeroporti i Bierset, ndërsa kokaina u kthye në biznesin kryesor. Sipas policisë federale belge, grupet shqipfolëse janë tashmë në gjendje të kontrollojnë gjithë zinxhirin e furnizimit, nga prodhimi në Kolumbi deri te shpërndarja në Evropë.
Çmontimi i aplikacioneve të koduara SkyECC dhe EncroChat zbuloi përmasat reale të kësaj fuqie. Sipas të dhënave të hetuesve, një në gjashtë përdorues të profileve të SkyECC fliste shqip, duke e bërë shqipen gjuhën e dytë më të përdorur në këtë aplikacion pas holandishtes. Në një nga rastet e mëdha të gjykuara në Belgjikë, një organizatë kriminale kishte gjeneruar jo më pak se 659 milionë euro nga trafiku i kokainës brenda katër viteve.
Pastrimi i parave është kthyer në shtyllën tjetër të aktivitetit. Sipas hetuesve belgë, metodat kanë kaluar nga transporti i parave cash dhe transfertat me Western Union te blerja e kompanive, veçanërisht në import-eksport, përdorimi i kriptomonedhave dhe investimet në biznese lokale si kafene, berberhane apo kompani fasadë. Një pjesë e këtyre parave, sipas analizës belge, riinvestohet në Shqipëri, kryesisht në ndërtim, pasuri të paluajtshme dhe turizëm.
Media belge ngre gjithashtu shqetësimin për korrupsionin në Shqipëri, duke e konsideruar një faktor që e lehtëson riinvestimin e fitimeve kriminale dhe e vështirëson konfiskimin e pasurive. Megjithatë, autoritetet belge vlerësojnë bashkëpunimin me SPAK-un, sidomos pas ndarjes së të dhënave të SkyECC me Tiranën. Sipas prokurorëve belgë, këto të dhëna kanë çuar në masa ndaj më shumë se 340 figurave kyçe në Shqipëri, përfshirë politikanë, gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë policie dhe nëpunës civilë.
Dhuna mbetet pjesë e këtij realiteti, por sipas hetuesve belgë ajo është bërë më pak publike dhe më shumë e brendshme, e lidhur me larje hesapesh mes grupeve rivale. Belgjika është përballur vitet e fundit me disa vrasje të lidhura me rrjete shqiptare, përfshirë atentate ndaj figurave të dyshuara të trafikut të kokainës dhe konflikte mes klaneve kriminale nga Shqipëria.
Në përfundim, raportimi i “Le Soir” paraqet një tablo alarmante: grupet kriminale shqipfolëse në Belgjikë nuk shihen më si struktura periferike, por si aktorë të konsoliduar të krimit të organizuar ndërkombëtar. Ato kanë kaluar nga aktivitetet klasike të rrugës në një model global, ku kokaina, pastrimi i parave, diaspora, korrupsioni dhe ekonomia e ligjshme ndërthuren në një sistem gjithnjë e më të sofistikuar.