Lidhje


Tragjedi në Maliq/ Krimineli që i fshihej ligjit vret Enea Mekollin, plagos rëndë Edison Adrin

 

Qyteti i Korçës dhe e gjithë Policia e Shtetit janë tronditur këtë të enjte nga një ngjarje e rëndë në zonën e Lozhanit, në Bashkinë Maliq, ku një operacion për kapjen e një personi të shumëkërkuar përfundoi me një efektiv të vrarë dhe një tjetër të plagosur. Në krye të detyrës humbi jetën inspektori Enea Mekolli, 34 vjeç, ndërsa kolegu i tij, inspektori Edison Adri, 36 vjeç, mbeti i plagosur gjatë përplasjes me armë. Të dy ishin efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” pranë DVP Korçë.

 

Ngjarja ndodhi rreth orës 07:30, kur shërbimet e policisë rrethuan një stan ku dyshohej se fshihej Violand Braçellari, 43 vjeç, person në kërkim dhe i dënuar më parë për vepra penale të lidhura me narkotikët. Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga policia, Braçellari ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vite, 11 muaj e 7 ditë burg për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, ndërsa ndaj tij kishte pasur edhe masë sigurie “arrest në burg” për “Kultivim të bimëve narkotike”.

 

Gjatë ndërhyrjes, efektivët i kanë bërë thirrje të dorëzohej, por i kërkuari nuk është bindur dhe ka hapur zjarr ndaj policisë. Nga të shtënat u vra Enea Mekolli dhe u plagos Edison Adri, ndërsa i plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili më pas u ndalua nga forcat e policisë.

 

Edison Adri është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore. Sipas raportimeve të para, ai ka marrë plagë në nofull, ndërsa gjendja e tij po ndiqet nga mjekët.

 

Enea Mekolli la pas bashkëshorten dhe një djalë të mitur. Pas ngjarjes, kryeministri Edi Rama njoftoi shpalljen e tij “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa ministri i Brendshëm Besfort Lamallari e cilësoi vrasjen si një sulm ndaj ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.

 

Në komunitet, Enea Mekolli dhe Edison Adri njiheshin edhe si dy besimtarë myslimanë, ndërsa miq, kolegë dhe të afërm kanë shprehur dhimbje të thellë për sakrificën e tyre. Përtej homazheve dhe ngushëllimeve, ngjarja ka hapur edhe një debat të fortë mbi mënyrën se si u organizua operacioni: si u ekspozuan dy efektivë të “Shqiponjave” përballë një personi të armatosur, me rrezikshmëri të lartë dhe që prej vitesh i shmangej drejtësisë.

XS
SM
MD
LG