Lidhje


SPAK i sekuestron vilën në Dhërmi: Balluku dyshohet se mori “shpërblim” 145 mijë euro nga tenderi i Albcontrol

 

 

SPAK ka vendosur sekuestro preventive mbi një vilë në resortin “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut, pasi dyshon se pasuria i përket në mënyrë indirekte ish-zv.kryeministres Belinda Balluku dhe është përfituar si shpërblim i paligjshëm për favorizimin e kompanisë Eurocol në një tender të Albcontrol.

 

Sipas Prokurorisë së Posaçme, vila është përfituar në vitin 2018 dhe kap vlerën 145 mijë euro. Pasuria përshkruhet si vilë individuale dy katëshe, tip “Begonia”, me sipërfaqe banimi 103 m², verandë 34 m² dhe parcelë jo më pak se 300 m².

 

SPAK thotë se Balluku, në kohën kur drejtonte Albcontrol, dyshohet se ka favorizuar kompaninë “Eurocol” në tenderin për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol, me fond limit mbi 88.6 milionë lekë, si dhe në një shtesë kontrate prej mbi 14.1 milionë lekësh pa TVSH. Sipas hetimit, favorizimi është bërë përmes kritereve të tenderit, avantazheve për kompaninë fituese dhe parapagimit të menjëhershëm të 50% të kontratës.

 

Prokuroria dyshon se për të fshehur pronësinë reale të vilës janë përdorur veprime fiktive, përfshirë një kontratë porosie të vitit 2018 dhe kontrata qiraje të viteve 2022 dhe 2024, me përfshirjen e personave të tjerë të identifikuar me iniciale.

 

Balluku është tashmë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera në dosjen e tunelit të Llogarasë, ndërsa SPAK thotë se gjetjet e reja ngrenë dyshime edhe për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të skemës dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

XS
SM
MD
LG