Lidhje


Zbulohen puset misterioze në Zvërnec/ A po nis resorti që Rama thotë se nuk ekziston?

 

Puse që shpojnë tokën janë zbuluar ditët e fundit në kodrën e Portonovos në Zvërnec, pranë plazhit të madh të Hidrovorit, në grykëderdhjen e Vjosës.

 

Sipas inxhinierëve dhe burimeve për Mexhlis, këto shpime shkojnë deri në 100 metra thellësi dhe u mundësojnë sondave të studiojnë përbërjen e tokës në nëntokë. Specialistët shtojnë gjithashtu se këto puse janë me qindra dhe janë vendosur gjatë periudhës shkurt-mars të këtij viti.

 

 

Teksa Edi Rama e ka mohuar vazhdimisht ekzistencën e një projekti për shndërrimin e Zvërnecit në resort gjigant, duke u konfliktuar veçanërisht me gazetarët e huaj, dokumentet e rrjedhura në media tregojnë se më 28 janar 2025, në mbledhjen e KKTU-së, organ të cilin e drejton kryeministri, ka qenë në rend dite edhe firmosja për dhënien e lejes së ndërtimit në Zvërnec.

 

Dyshimin për dhënien e lejes, e cila figuron vetëm si pikë e rendit të ditës së mbledhjes, por ende nuk gjendet e zbardhur e plotë dhe me firmë, e bën edhe më të madh zbulimi i këtyre puseve për sondat e tokës.

 

 

Nga ana tjetër, edhe betonizimi i një pjese të plazhit të Zvërnecit dhe vendosja e gardhit me gjemba ditë më parë — i cili u hoq vetëm pas skandalit të tërheqjes zvarrë të banorit të zonës nga rojet private — sugjeron se në këtë peizazh natyror mund të ekzistojë një leje ndërtimi e pazbardhur dhe ende jotransparente. Më keq se kaq do të ishte nisja e punimeve pa leje.

 

Në Tiranë, Vlorë, qytete të tjera të Shqipërisë dhe në diasporën ku jetojnë shqiptarët, prej më shumë se 10 ditësh po zhvillohen protesta të forta kundër zhvillimit jotransparent të Zvërnecit, por edhe kundër keqqeverisjes dhe klasës politike në pothuajse katër dekadat e fundit.

 

XS
SM
MD
LG