SPAK shtoi akuzat, Balluku kërkon rikthimin në detyrë!
Në Gjykatën e Lartë është hedhur shorti për shqyrtimin e kërkesës së ish-zv.kryeministres Belinda Balluku për shuarjen e masës së pezullimit nga detyra. Relator i çështjes është caktuar gjyqtari Ilir Panda.
Dosja do të shqyrtohet në dhomë këshillimi, ndërsa ende nuk është përcaktuar data e seancës. Balluku iu drejtua Gjykatës së Lartë pasi kërkesa e saj për heqjen e masës së sigurisë “pezullim nga detyra” u rrëzua më herët nga Gjykata e Posaçme dhe Apeli i Posaçëm.
Ndërkohë, paralelisht me këtë proces, SPAK ka zgjeruar hetimet ndaj saj. Përveç akuzave që lidhen me shkelje në procedurat e tenderimit, ish-zyrtarja po hetohet edhe për korrupsion dhe pastrim parash.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet kanë zbuluar parregullsi në dy tendera me vlerë mbi 1 milion euro, të zhvilluar gjatë periudhës kur Balluku drejtonte “Albcontrol”. SPAK pretendon se kontratat janë favorizuar në kundërshtim me ligjin për një kompani ndërtimi dhe se si përfitim i paligjshëm është marrë një vilë në Dhërmi me vlerë rreth 145 mijë euro.
Vila në fjalë është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.