SPAK godet përsëri/Trafik droge dhe pastrim parash, urdhër-arrest për Sotën, Shtufin, Jaupajn dhe Artur Shehun e Vlorës
SPAK, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po zhvillon një operacion të gjerë kundër një grupi të dyshuar kriminal të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave në shuma të mëdha. Burime paraprake bëjnë me dije se janë lëshuar 20 masa sigurie, ndërsa deri tani në pranga ka rënë Orest Sota. Mes personave për të cilët është caktuar masa “arrest me burg” janë edhe biznesmenët Artur Shehu Edmond Jaupaj, Orges Birçaj dhe Ilir Shtufi, të cilët ndodhen jashtë vendit.
Sipas hetimeve, dyshohet se biznesmenët kanë pastruar paratë e një grupi trafikantësh droge. Artur Shehu njihet si një nga pronarët që zotëron pjesën më të madhe të tokave në zonën e Zvërnecit, ku është planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz. Ndërkohë, autoritetet vijojnë veprimet për ekzekutimin e masave të sigurisë dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Mes emrave të përfshirë në operacion është edhe biznesmeni Ilir Shtufi, i njohur në fushën e ndërtimit dhe për lidhjet e tij me Shkëlzen Berishën. Shtufi zotëron pjesën dërrmuese të aksioneve të kompanisë ndërtuese Nova Construction 2012 dhe është investitori i projektit të kullës “Mali i Tiranës”, një prej ndërtimeve më të larta të planifikuara në kryeqytet. Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të operacionit.