Të zhvatësh edhe sëmundjen/ Si po vidhen shqiptarët me çmimet e ilaçeve
Tuesday, 12 March 2024 08:28
Nga Klodian Tomorri/Nurofen për fëmijë është një medikament, i cili përdoret për të kuruar dhimbjen, inflamacionin dhe temperaturën tek të miturit nga 3 muaj deri në 9 vjeç. Ky bar në Shqipëri tregtohet ekskluzivisht nga kompania “FarmaNet” dhe aktualisht një kuti kushton 605 lekë. I njëjti bar në Greqi, kushton 2.33 euro ose 240 lekë për kuti. Pra 2.5 herë më lirë në Greqi ose 2.5 herë më shtrenjtë në Shqipëri. Ligjërisht çmimet e ilaçeve në Shqipëri janë të rregulluara me marzh fitimi të përcaktuar.
Sipas ligjit, importuesve dhe shpërndarësve të shumicës u lejohet një marzh fitimi 11 për qind mbi çmimin CIF, pra koston e ardhjes së mallit deri në port. Ndërsa farmacive të pakicës u lejohet të shtojnë maksimalisht një marzh 25 për qind mbi çmimin e blerjes nga shpërndarësi i shumicës. Ligjërisht diferenca prej 2.5 herë në çmimin e një medikamenti nuk duhet të ekzistojë. Kapitali iu drejtua kompanisë FarmaNet, mbi arsyet se pse ajo e shet Nurofenin 2.5 herë më shtrenjtë se në Greqi, por nuk mori një përgjigje.
Vjedhje në shkallë industriale
Nurofen është vetëm një nga rastet. Por të tilla ka me qindra. Madje abuzimi është aq flagrant sa që edhe në tregun e brendshëm diferencat në çmime janë me fish. Gazetari Renaldo Saliani publikoi në faqen e tij në “FB” rastin e një medikamenti të quajtur Bisolvon.
Në njërën farmaci, në pullën fiskale të barit ishte vendosur çmimi 286 lekë për kuti. Ndërsa në një farmaci afër të parës, në pullën e të njëjtit ilaç shkruhet çmimi 713 lekë. “Cila nga dy farmacitë mashtron pacientët dhe shtetin duke falsifikuar pullën” pyet gazetari në postim e tij, ku bashkangjitur gjenden fotot e medikamentit me dy çmime.
Një tjetër gazetar, Mentor Kikia thotë se e njëjta recetë e përshkruar nga mjeku, në Tiranë kushtonte 85 euro, ndërsa në Athinë çmimi ishte 37 euro. “Të njëjtën kurë, i njëjti prodhim dhe dozë, në Tirane 85 Euro, në Athine e mora 37 Euro,” denoncon Kikia. Provat e shumta si këto faktojnë qartë se tregu i barnave në Shqipëri është shthurur dhe në pjesën e tij më të madhe ka kaluar në paligjshmëri.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, shqiptarët shpenzojnë mesatarisht 300 milionë euro në vit për ilaçë. Por diferencat e tilla në çmime dëshmojnë se me shumë se një treg funksional, kjo është një vjedhje në shkallë industriale, e cila jo vetëm zhvat, por edhe vret njëkohësisht.
Diferencat në çmime janë vetëm njëra anë e paligjshmërisë së tregut. Ana tjetër është cilësia e medikamenteve. Shumë mjekë dashamirës, të cilët përshkruajnë receta i këshillojnë shpesh pacientët, që nëse kanë mundësi t’i blejnë ilaçet jashtë shtetit. Kjo tregon shumë.
Zhvatësi është qeveria
Gjatë kohës që ishin në opozitë, socialistët shpikën një term, i cili në atë kohë zuri vend gjerësisht në debatin politik. Termi ishte taksa e sëmundjes dhe i referohej tatimit mbi vlerën e shtuar që ish qeveria demokratike aplikonte mbi medikamente.
Asokohe, Mimi Kodheli, Ilir Beqaj, Erjon Braçe dhe shumë socialistë të tjerë e etiketonin qeverinë si të pashpirtë deri në pikën që taksonte edhe sëmundjen duke u zotuar se me ardhjen e tyre në pushtet TVSH e ilaçeve do të hiqej. Dhe në fakt ashtu ndodhi.
Qeveria e Partisë Socialiste e hoqi tvsh-në mbi barnat. Por qytetarët shqiptarë po zhvaten edhe më rëndë dhe tashmë po dënden me ilaçe, cilësia e të cilave është e dyshimtë.
Për të parën, kontrollin e çmimeve të ilaceve, përgjegjësia ligjore bie direkt mbi agjencitë qeveritare nën varësi të ministrisë së Shëndetësisë. Janë këto agjenci, përgjegjësit kryesorë se pse shqiptarët grabiten duke paguar çmime deri në 3 herë më të shtrenjta për ilaçet.
Për të dytën, atë që lidhet me cilësinë përgjegjësia është po ashtu ka direkte mbi qeverinë. Kjo qeveri ndërmorri një sërë nismash ligjore, të cilat i hapën rrugë tregtimit të ilaçeve të pakontrolluara në treg.
Ndaj ndërsa demokratën dikur taksonin sëmundjen për arkën e shtetit, edhe pse në këtë rast taksa shërbente dhe si mekanizëm për të kontrolluar abuzimin me çmimet, qeveria aktuale sëmundjen po e zhvat. Ndërsa pacientët po i vret duke e shndërruar tregun e barnave në një moçal të qelbur korrupsioni, i cili ka fuqinë të bllokojë edhe listën e barnave./Nga kapitali.al