Shqipëria në shitje me taksa për qytetarët dhe dhurata për resortet: Qeveria fal 10 vite pronën e luksit
Në kulmin e protestave kundër projektit të Zvërnecit, qeveria ka hedhur për konsultim një projektligj të ri për taksën mbi pasurinë e paluajtshme, i cili synon të rrisë ndjeshëm të ardhurat nga taksa e pronës. Por ndërsa qytetarët pritet të paguajnë më shumë, projektligji ruan një përjashtim të plotë 10-vjeçar për resortet dhe hotelet luksoze me katër e pesë yje, me status special dhe markë ndërkombëtare.
Sipas projektligjit të propozuar nga Ministria e Financave, taksimi nuk do të bëhet më vetëm mbi bazën e sipërfaqes, por mbi vlerën e tregut të pronës. Vetë qeveria pranon se objektivi është rritja e të ardhurave për bashkitë, nga rreth 0.28% e Prodhimit të Brendshëm Bruto aktualisht, në 0.7 deri në 1% të PBB-së. Me fjalë të tjera, shteti synon të mbledhë më shumë para nga prona.
Por paradoksi qëndron te përjashtimi. Neni 10, pika “ç”, parashikon se strukturat akomoduese me katër dhe pesë yje, që kanë status special dhe operojnë me markë ndërkombëtare, së bashku me parcelën ku ndërtohen, përjashtohen nga taksa e pronës për një periudhë 10-vjeçare.
Ky propozim vjen pikërisht në një moment kur qeveria po mbron projektet turistike luksoze në Zvërnec, të lidhura publikisht me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, ndërsa mijëra qytetarë protestojnë prej javësh me sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”.
Kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur disa herë modelin e resorteve luksoze, duke deklaruar se ato sjellin të ardhurat më të larta në ekonomi nga turizmi. Sipas tij, çdo euro që hyn në një resort luksoz gjeneron 1.6 deri në 2 euro në ekonominë lokale. Por pikërisht këtu lind pyetja kryesore: nëse këto investime prodhojnë kaq shumë të ardhura, pse duhet të përjashtohen nga taksa e pronës?
Ky nuk është privilegji i parë që lidhet me projektin e Zvërnecit. Më herët, shumica socialiste ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura, duke hapur rrugë për investime në kategori ku ndërtimi më parë ishte shumë më i kufizuar. Tani, sipas kritikëve, po shtohet edhe një lehtësi e dytë: përjashtimi fiskal për investitorët e mëdhenj.
Deputetja e opozitës, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë si një tjetër privilegj për të njëjtët njerëz që, sipas saj, kanë përfituar gjithçka nga sistemi. Ajo akuzon qeverinë se ka rënduar familjet shqiptare me taksa dhe kosto jetese, ndërsa tani po krijon lehtësi të reja për investitorët më të fuqishëm.
Debati për projektligjin e ri e zgjeron edhe më shumë përplasjen rreth Zvërnecit. Protesta nuk është më vetëm kundër një resorti apo një investimi të vetëm, por kundër një modeli ekonomik ku qytetarët e zakonshëm paguajnë më shumë, ndërsa projektet luksoze me lidhje të forta politike përfitojnë përjashtime, lehtësi dhe trajtim të posaçëm.
Në këtë sfond, slogani “Shqipëria nuk është në shitje” merr një kuptim edhe më të drejtpërdrejtë. Ndërsa qeveria kërkon më shumë të ardhura nga prona e qytetarëve, ajo po ruan dhjetë vite pa taksë për resortet luksoze që janë në qendër të revoltës publike.