Rama këmbëngul sërish te Kushneri dhe shan protestuesit: Të shkojnë të q...
“Nuk jam unë Kumbari i Shqipërisë.” Kjo është përgjigjja e kryeministrit Edi Rama ndaj akuzave të protestuesve që prej javësh e konsiderojnë përgjegjës për një sistem korrupsioni që, sipas tyre, ka hapur rrugën për ndërtimin e resorteve luksoze në zona të mbrojtura. Në një intervistë për Financial Times, Rama hodhi poshtë akuzat që e lidhin me model klientelist në favor të investitorëve të mëdhenj. Megjithatë, pavarësisht protestive dhe akuzave, Rama vijoi mbrojten ndaj projektit 4 miliardë dollarësh të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Sazan dhe Zvërnec.
Ishte ky projekt që nxiti të ashtuquajturin “Revolucioni i Flamingove” dhe qëndresën qytetare kundër projektit të planifikuar në ishullin e Sazanit dhe pranë rezervatit natyror të Vjosë-Nartës. Prej më shumë se tre javësh, mijëra qytetarë protestojnë duke kërkuar ndalimin e projektit, dorëheqjen e Ramës dhe hetimin e vendimmarrjeve që kanë hapur rrugën për investimin.
Përballë këtyre akuzave, kryeministri ishte i drejtpërdrejtë. “Njerëzit thonë se unë jam drejtuesi i gjithë kësaj. Unë u them: ‘Shkoni q...’. Kaq e thjeshtë. Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari, por atyre t’a provojnë se jam”, deklaroi ai.
Në dukje i palëkundur në intervistën e tij për FT, Rama këmbënguli se nuk ekziston asnjë lidhje mes hetimeve dhe projektit turistik. Sipas tij, investimi i Kushner dhe partnerëve të tij është plotësisht i ligjshëm dhe nuk duhet ngatërruar me çështje të tjera që po shqyrtohen nga drejtësia. Kryeministri hodhi poshtë edhe pretendimet se ekonomia shqiptare mbështetet te pastrimi i parave.
“Të pretendosh se ekonomia shqiptare bazohet në pastrimin e parave është e tmerrshme”, tha ai, megjithatë dy rreshta më poshtë pranon se fenomeni ekziston.
“Pastrimi i parave është pjesë e ekonomisë sonë, por nuk është një problem kaq i madh”, shtoi ai. “Mendoni se nuk ka pastrim parash në Londër? Ka. Por a mund të thuash se ekonomia britanike bazohet te pastrimi i parave? Jo.”
Intervista e kryeqeveritarit dhe këto deklarata kaq të guximshme, vijnë në një moment kritik, pas megaoperacionit të SPAK kundër një rrjeti të trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave. Prokuroria lëshoi masa sigurie për 20 të dyshuar, mes të cilëve biznesmenë të njohur. Mes personave nën hetim ndodhet edhe Artur Shehu, ish-pronar tokash në zonën ku parashikohet të zhvillohet projekti i Kushner.
Në vitin 2025, Shehu ia shiti këto prona kompanisë Albania Land Development, e lidhur me investimin. Marrëveshja është vënë nën shqyrtim nga SPAK dhe deri në përfundimin e hetimeve SPAK ka urdhëruar sekuestrimin e 140 milionë eurove ku 128 milionë euro janë nga llogaritë e “Albanian Land Development”, kompani me administrator Redi Strugën që ka kryer transaksionin për blerjen e tokës në Zvërnec.
Edhe përballë këtyre fakteve, kryeministri kishte një përgjigje. Ai argumentoi se qeveria e tij u ka dhënë prokurorëve shumë liri për të ndjekur raste korrupsioni, gjë që sipas tij ka rritur perceptimin se vendi është i mbushur me korrupsion dhe krim të organizuar.
“Shqipëria po lufton korrupsionin si kurrë më parë dhe sot është shumë më pak e korruptuar se më parë”, tha Rama.
Kryeministri përsëriti gjithashtu pretendimet se protestat janë nxitur nga kundërshtarët e presidentit amerikan Donald Trump, përfshirë Iranin.
“Ka shumë interes për ta vrarë këtë projekt, për shkak të Trump-it”, u shpreh Rama. “Po të mos ishte Jared Kushner, askujt nuk do t’i interesonin flamingot, Shqipëria apo ndonjë gjë tjetër. Është urrejtja ndaj Trump-it ajo që ka sjellë gjithë këtë vëmendje.”
Pavarësisht protestave që prej javësh mbushin bulevardin para Kryeministrisë dhe hetimeve, Rama e mbylli intervistën i bindur se projekti do të realizohet.
“E rëndësishme është që investitorët nuk janë kriminelë dhe nuk janë të përfshirë në pastrim parash”, tha ai. “Ata janë investitorë të mëdhenj. Është një mundësi historike për Shqipërinë.”/Financial Times