Sot protesta e 25-të - Mbetet pyetja: Çfarë mund të bëjë Rama?
Mbahet sot protesta e 25 masive ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e pa negociueshme të kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë së tij.
Protesta konsiderohet si kulmi i mobilizimit qytetar pas mbi tri javësh demonstrata të pandërprera.
Revolta ka tejkaluar tashmë kauzën fillestare dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së llogaridhënies dhe largimit masiv të të rinjve nga vendi.
Mbrëmjen e djeshme është mbajtur protesta e 24-të, ku pas marshimit në disa akse të kryeqytetit dhe fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë mbyllur tubimin duke përsëritur kërkesën e tyre kryesore, të cilën e cilësojnë si të panegociueshme: “Rama jep dorëheqjen!”
Gjatë protestës, mijëra qytetarë kanë mbajtur pankarta dhe kanë hedhur thirrje kundër qeverisë, ndërsa marshimi ka kaluar në disa zona të Tiranës përpara rikthimit në sheshin ‘Skënderbej’.
Ndërkohë, përveçse sharjeve, fyerjeve, etiketimeve, provokimeve në shqip dhe anglisht, Edi Rama ende nuk ka një përgjigje për këtë situatë, që po e teston më së shumti që prej vitit 2013, kur mori detyrën e kryeministrit.