Lidhje


Helmohen përsëri! 60 kursantë të Akademisë së Sigurisë përfundojnë në spital, nisin hetimet për shkaqet

Rreth 30 kursantë të Akademisë së Sigurisë kanë marrë ndihmë mjekësore pas shfaqjes së simptomave si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke gjatë mbrëmjes së të mërkurës.

 

Sipas informacioneve paraprake, kursantët janë transportuar në grupe drejt spitalit për trajtim dhe vlerësim mjekësor. Autoritetet po hetojnë për të përcaktuar shkakun e incidentit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që simptomat të jenë shkaktuar nga ushqimi i konsumuar në institucion.

 

Ky është rasti i dytë i ngjashëm në Akademinë e Sigurisë brenda pak muajsh. Rreth dy muaj më parë, 56 studentë raportuan probleme shëndetësore të dyshuara si pasojë e helmimit ushqimor.

 

Ndërkohë, strukturat e Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) kanë nisur verifikimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Po ashtu, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) pritet të marrë mostra ushqimore për analiza laboratorike, me qëllim identifikimin e shkakut të simptomave të shfaqura tek kursantët.

 

Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që rezultatet e analizave të hedhin dritë mbi rrethanat e këtij rasti.

 

Tiranë/Informacion paraprak

 

Në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.

 

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.

 

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse.

 

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.

 

Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun.

 

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit./NOA

XS
SM
MD
LG