Taksa e shtëpisë drejt dyfishimit, qeveria godet pronarët në Tiranë
Rritja e taksës së ndërtesës pritet të rëndojë ndjeshëm pronarët e apartamenteve në Tiranë, sidomos në zonat ku çmimet zyrtare të referencës janë më të larta. Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, formula e re e propozuar nga Ministria e Financave mund të sjellë dyfishim të detyrimit vjetor nëse taksa miratohet në nivelin 0.2%.
Aktualisht, taksa për banesat është 0.05% e vlerës së pronës. Drafti i ri parashikon që për ndërtesat e banimit shkalla të rritet në intervalin 0.1% deri në 0.2%, ndërsa niveli konkret do të vendoset nga Këshilli Bashkiak. Edhe pse formula parashikon zbritje për banesën e parë, efekti në shumë zona të Tiranës mbetet rritës.
Nëse miratohet niveli 0.1%, rritja do të ndihet kryesisht në zonat më të shtrenjta kadastrale, si ish-Blloku, zona pranë Piramidës dhe rruga “Myslym Shyri”, ku detyrimi mund të rritet nga 3% deri në 18%. Në zonat e tjera të Tiranës, me këtë nivel takse, detyrimi nuk pritet të ndryshojë ndjeshëm.
Por skenari më i rëndë është ai i taksës 0.2%. Në këtë rast, detyrimi vjetor do të dyfishohej për të gjitha zonat kadastrale të Tiranës. Për shembull, një apartament 90 metra katrorë në zonën e ish-Bllokut, që sot paguan 10,278 lekë në vit, do të paguante 20,556 lekë në vit. Edhe në zona më periferike, si Ali Demi, Shkoza, Poligrafiku, Autotraktorët, Linza apo Sauku, detyrimi do të dyfishohej nga 4,626 lekë në 9,252 lekë në vit.
Drafti parashikon që për banesën e parë të zbritet 50% e vlerës së pronës si e patatueshme, por vetëm nëse vlera e banesës nuk tejkalon dyfishin e pragut të patatueshëm. Për Tiranën, ky prag është propozuar në 8.4 milionë lekë. Nëse prona ka vlerë më të lartë se dyfishi i këtij pragu, qytetari nuk përfiton zbritjen 50%, por vetëm pragun fiks të patatueshëm.
Kjo nuk është rritja e parë për familjet në Tiranë. Që nga gushti 2023, detyrimet për taksën e ndërtesës janë rritur deri në 76% pas shtrenjtimit të çmimeve zyrtare të referencës. Taksa paguhet përmes faturës së ujit, çka e bën barrën të drejtpërdrejtë në buxhetin mujor të familjeve.