Sazani fut Ramën në fushatën amerikane: senatori demokrat kërcënon me hetime në Kongres marrëveshjen me Kushner
Projekti i shumëdebatuar i Jared Kushner në Shqipëri ka kaluar kufijtë e politikës shqiptare dhe është bërë pjesë e fushatës elektorale në Shtetet e Bashkuara. Senatori demokrat nga Georgia, Jon Ossoff, gjatë një aktiviteti elektoral në Savannah, e përdori marrëveshjen mes qeverisë së Edi Ramës dhe kompanisë së dhëndrit të Donald Trump si një nga shembujt kryesorë për të sulmuar familjen Trump dhe lidhjet e saj me bizneset ndërkombëtare.
Në fjalimin e tij, Ossoff foli për Sazanin, të cilin e përshkroi si një ishull të vogël dhe të bukur pranë bregdetit shqiptar. Ai akuzoi Jared Kushner se, pasi kishte marrë financime saudite, synoi ndërtimin e një resorti luksoz në Shqipëri. Sipas senatorit demokrat, vetëm pak javë pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, kompania e Kushner përfitoi statusin e investitorit strategjik nga qeveria shqiptare, çka sipas tij i hapi rrugë përshpejtimit të procedurave dhe lejeve për projektin.
Ossoff e cilësoi Sazanin si një “thesar kombëtar shqiptar”, duke pretenduar se ujërat përreth tij ishin të mbrojtura deri në momentin kur, sipas tij, ligji u ndryshua për t’i hapur rrugë resortit të Kushner. Ai iu referua edhe protestave në Shqipëri, duke thënë se dhjetëra mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Tiranës në atë që ai e quajti “Revolucioni i Flamingove”, një lëvizje e nxitur nga kundërshtimi ndaj projektit.
Senatori demokrat përmendi gjithashtu hetimet e SPAK-ut dhe ngrirjen e një llogarie bankare të lidhur me investitorë të projektit. Në këtë kontekst, ai ngriti pyetjen nëse Jared Kushner do t’i kishte marrë të njëjtat privilegje në Shqipëri nëse nuk do të ishte dhëndri i presidentit amerikan.
Në fund, Ossoff e lidhi rastin shqiptar me akuzat më të gjera ndaj familjes Trump për përfitime nga lidhjet politike, duke përmendur investime në Lindjen e Mesme, kriptomonedha dhe projekte të tjera ndërkombëtare. Ai paralajmëroi se personat e përfshirë në këto çështje mund të përballen me hetime nga Kongresi amerikan, duke thënë se vitin tjetër mund të detyrohen të dëshmojnë nën betim para Kongresit të Shteteve të Bashkuara.