Aksidenti fatal në aksin Tiranë-Durrës: Pesë pacientë lënë spitalin, ja si paraqitet gjendja e të lënduarve
Një pjesë e pacientëve të lënduar në aksidentin e rëndë të ditës së djeshme në autostradën Tiranë-Durrës kanë lënë spitalin pas marrjes së ndihmës mjekësore. Sipas bluzave të bardha, pesë pacientë të cilët u paraqitën në gjendje koshiente dhe më të stabilizuar janë larguar drejt banesave të tyre pas trajtimit sipas protokolleve mjekësore. Gjatë ditës së sotme pritet të lirohet edhe një tjetër pacient, gjendja e të cilit është vlerësuar jashtë rrezikut për jetën, ndërsa të lënduarit e tjerë po vijojnë të marrin trajtim intensiv në shërbimet spitalore.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të dy të miturve që mbetën të plagosur nga përmbysja e autobusit, mjekët bëjnë me dije se një 8-vjeçar ndodhet në Reanimacionin e Spitalit Universitar të Traumës, me parametra jetësorë të qëndrueshëm dhe nën monitorim të vazhdueshëm. Ndërkohë, një 14-vjeçar është vendosur në pavion dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve, me dëmtime të specifikuara në gjymtyrët e poshtme.
Në repartin e Reanimacionit po trajtohet gjithashtu edhe një shtetase çeke me origjinë vietnameze, e moshës 56-vjeçare, e cila paraqitet në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të dëmtimeve të shumta, por me parametra jetësorë stabël. Pacientët e tjerë që iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale ndodhen në gjendje të stabilizuar dhe po qëndrojnë në observim në Urgjencë për monitorim intensiv, ku mes tyre ndodhet edhe një tjetër shtetase me nënshtetësi çeke dhe origjinë vietnameze, e moshës 20-vjeçare.