Lidhje


Raporti i PNUD ngre alarmin: Reformat në Shqipëri rrezikojnë të mbeten peng i projekteve dhe administratës së dobët

 

Një raport i pavarur i PNUD për programin në Shqipëri evidenton se kapacitetet e dobëta institucionale, fragmentimi mes institucioneve dhe varësia nga projektet e donatorëve mbeten pengesa kryesore për qëndrueshmërinë e reformave në vend.

 

Sipas raportit, PNUD ka mbështetur ngritjen e politikave, ligjeve dhe institucioneve në fusha si shërbimet sociale, mjedisi, drejtësia, qeverisja dhe barazia gjinore. Megjithatë, shumë prej këtyre reformave nuk janë futur plotësisht në strukturat e përhershme shtetërore, duke bërë që rezultatet të mbeten të brishta dhe shpesh të varura nga asistenca e jashtme.

 

Një problem i veçantë lidhet me sistemet e të dhënave, ku regjistra të ndryshëm për ndihmën ekonomike, shërbimet sociale dhe dhunën me bazë gjinore funksionojnë paralelisht, pa ndërveprim të mjaftueshëm. Kjo e vështirëson monitorimin e politikave dhe koordinimin mes institucioneve.

 

Raporti thekson gjithashtu se rotacioni i lartë i stafit, sidomos në bashki dhe polici, dobëson kujtesën institucionale dhe krijon nevojë të vazhdueshme për trajnime të reja. Bashkitë më të vogla përballen edhe me mungesë ekspertize, burimesh njerëzore dhe infrastrukture, veçanërisht në menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë.

 

PNUD paralajmëron se pa koordinim më të fortë ndërinstitucional, sisteme të integruara të të dhënave dhe financim të qëndrueshëm publik, reformat në Shqipëri rrezikojnë të mbeten të fragmentuara dhe të varura nga donatorët. Kjo merr rëndësi të veçantë në prag të integrimit europian, ku administrata shqiptare duhet të provojë se është e aftë jo vetëm të hartojë reforma, por edhe t’i zbatojë e financojë ato në mënyrë të qëndrueshme.

XS
SM
MD
LG