Kreu i SPAK për rastin Balluku: Imuniteti e vështirëson dhe e dëmton hetimin
Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka hapur një debat të fortë për imunitetin parlamentar, duke deklaruar se deputetët nuk duhet të kenë mbrojtje të veçantë përballë hetimeve penale.
I pyetur nga deputeti demokrat Oerd Bylykbashi për rastin e Belinda Ballukut, Braho refuzoi të komentonte çështjen konkrete, por pranoi se imuniteti e vështirëson punën e SPAK kur bëhet fjalë për vendosjen e masave të sigurisë.
“Imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit, por nuk ndalon Prokurorinë të zhvillojë hetime të plota dhe të pavarura. Mungesa e një mase e vështirëson hetimin dhe e dëmton atë”, tha Braho.
Ai shkoi edhe më tej, duke shprehur qëndrimin e tij personal: “Po të ishim ne pala që miratonte ndryshime ligjore, personalisht mendoj se deputeti nuk duhet të kishte imunitet fare.”
Deklarata rikthen në qendër debatin nëse imuniteti parlamentar është garanci për mandatin e deputetit apo një mburojë që pengon drejtësinë në çështjet e zyrtarëve të lartë.