Lidhje


Gonxhja mbron Kanye-n nga “Don Kishotët”, por nuk sqaron pse koncertin privat e paguan shqiptarët

 

"Është një betejë donkishoteske ndaj një artisti global." Me këtë frazë ministri Blendi Gonxhja zgjodhi t'u përgjigjet kritikëve të vendimit të qeverisë për të financuar me mbi 4 milionë euro koncertin e Kanye West. Thua se debati është për artistin ndërkombëtar!

 

Në pjesën më të madhe të botës, kur koncertet nuk shesin biletat, anulohen ose zvogëlohen. Në Shqipëri ndodhi ndryshe. Kur tregu nuk e mbështeti eventin, nuk u kërkua ndërhyrja e sponsorëve. Hyri vetë shteti. Qeveria argumenton se fondet u dhanë për të mbajtur një premtim dhe për të shmangur anulimin e koncertit, pasi sipas kryeministrit Edi Rama në vend priteshin rreth 25 mijë vizitorë nga 80 shtete. Por problemi që ngre opozita, ekspertët dhe një pjesë e opinionit publik nuk është Kanye West apo turistët. Është fakti që 4.2 milionë euro nga fondi rezervë i shtetit u përdorën për të mbuluar vështirësitë financiare të një eventi privat.

 

Edhe ministri Gonxhja pranoi se projekti ishte menduar të vetëfinancohej, por pretendoi se komplikimet teknike dhe organizative gjatë ndërtimit të stadiumit provizor në Kashar e bënë të nevojshme ndërhyrjen e qeverisë.

 

Vetë organizatorët kishin deklaruar se duheshin shitur rreth 70% e biletave që koncerti të ishte ekonomikisht i leverdishëm. Sipas një raportimi të Monitor, deri në fund të muajit maj ishin shitur rreth 25 mijë bileta, ndërsa më shumë se gjysma e kapacitetit të stadiumit rrezikonte të mbetej bosh. Pikërisht në këtë moment erdhi edhe financimi publik.
Ndërkohë, në rrjetet sociale kanë qarkulluar denoncime dhe pamje që tregojnë se bileta po shpërndahen falas në shkolla. Disa drejtues ua kanë ofruar nxënësve si formë "vlerësimi" për rezultatet e mira.

 

Arsyet e interesit të ulët duken të qarta. Çmimet e biletave, nga 120 deri në 330 euro, rezultuan të papërballueshme për një pjesë të madhe të tregut shqiptar. Edhe turistët e huaj nuk e panë Shqipërinë si destinacion koncertesh ndërkombëtare. Ndryshe nga finalja e UEFA Conference League në vitin 2022, hotelet nuk u mbushën, çmimet mbetën normale dhe kompanitë ajrore nuk raportuan kërkesë të pazakontë për fluturime.

 

As sponsorët nuk u bindën. Sipas agjencive të marketingut, paketa prej rreth 250 mijë eurosh konsiderohej tepër e kushtueshme për tregun shqiptar, ndaj organizatorët nuk siguruan mbështetjen e biznesit privat.

 

Në mbrojtje të projektit, ministri Gonxhja ka deklaruar se koncerti mund të gjenerojë deri në 120 milionë euro në ekonomi. Megjithatë, metodologjia mbi të cilën mbështetet kjo shifër nuk është bërë publike. Edhe në skenarin më optimist, sipas përllogaritjeve, me shitjen e të gjitha biletave, ndikimi ekonomik do të ishte rreth 40-50 milionë euro. Duke marrë parasysh numrin aktual të vizitorëve dhe biletave të shitura, efekti direkt vlerësohet të mos kalojë 20 milionë euro.

Rastet ndërkombëtare tregojnë një praktikë tjetër. Kur koncertet nuk arrijnë të shesin biletat, organizatorët zakonisht ulin çmimet, reduktojnë kapacitetin ose i anulojnë eventet. Nuk rezulton një precedent i dokumentuar ku një qeveri të ketë ndërhyrë për të mbuluar humbjet e një koncerti privat të një artisti të vetëm.

XS
SM
MD
LG