Lidhje


Bekim Qoku: Shqiptarët po ndëshkohen pse mbështesin protestat në Tiranë

 

Deputeti shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Bekim Qoku, ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku ai, bashkë me dy zyrtarë të tjerë shqiptarë, u mbajtën për më shumë se një orë nga autoritetet shqiptare, pa marrë asnjë sqarim zyrtar.

 

Qoku e cilëson ngjarjen si “situatë absurde”, duke thënë se një kalim rutinë drejt Shqipërisë u kthye në “dramë absurdi”. Sipas tij, tre zyrtarët u lejuan fillimisht të kalonin, por më pas njërit prej shoqëruesve të tyre iu refuzua hyrja. Për shkak të kësaj mënyre veprimi, ata vendosën të ktheheshin në Maqedoninë e Veriut.

 

Në reagimin e tij, Qoku ngre dyshimin se situata mund të lidhet me mbështetjen publike që ai ka shprehur për protestat e fundit në Shqipëri. Ai e quan këtë të papranueshme, duke paralajmëruar se ndëshkimi i qytetarëve për mbështetjen e protestave paqësore do të ishte shkelje e rëndë e lirive themelore dhe standardeve demokratike.

 

Qoku kërkon transparencë të menjëhershme nga institucionet shqiptare, duke pyetur se mbi çfarë baze ligjore mund t’u refuzohet hyrja zyrtarëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, pa asnjë dokument apo njoftim zyrtar.

 

Në një nga pjesët më të forta të reagimit, ai krahason një praktikë të tillë me sjelljen e regjimeve autoritare, duke përmendur vende si Rusia, Irani, Bjellorusia, Koreja e Veriut dhe Afganistani nën talebanët.

 

“Shqipërinë e duam sepse e kemi amanet nga brezat, edhe fëmijët tanë do ta duan. Por Shqipërinë e drejtë, demokratike, evropiane, jo pushtetin që vihet në funksion të autokracisë e të përçarjes së shqiptarëve”, shkruan Qoku.

XS
SM
MD
LG