Shteti i shpall luftë komenteve negative: Policia heton “sulmin” ndaj bizneseve të turizmit
Policia e Shtetit ka njoftuar nisjen e një hetimi për një aktivitet të dyshuar të koordinuar në internet, pas publikimit masiv të komenteve dhe vlerësimeve negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe subjekteve turistike në Shqipëri. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, deklaroi se strukturat e krimeve kibernetike kanë evidentuar mbi 10 mijë llogari me aktivitet të dyshimtë, disa të krijuara rishtazi dhe disa të tjera reale, të cilat dyshohet se kanë publikuar në mënyrë të sinkronizuar “review” negative në platformat online.
Sipas Hitës, janë konstatuar raste kur e njëjta llogari ka lënë vlerësime negative për biznese në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Sarandën, Elbasanin, Shkodrën dhe Korçën, brenda një kohe shumë të shkurtër. Policia thotë se po analizon sinkronizimin kohor, ngjashmërinë e përmbajtjes dhe mënyrën e shpërndarjes së komenteve për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një veprimtari të organizuar.
Hetimi vjen pas një vale komentesh negative në rrjete sociale dhe platforma vlerësimi ndaj disa bizneseve turistike, që protestues dhe qytetarë i kanë lidhur me persona pranë qeverisë apo me përfitues të pronave publike dhe lehtësirave shtetërore. Prej ditësh në rrjetet sociale janë bërë thirrje për t’u lënë vlerësime negative bizneseve që konsiderohen të favorizuara nga pushteti.
Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë sjelljeje konkrete po hetohet: nëse bëhet fjalë për rrjete të automatizuara, llogari të rreme dhe manipulim të koordinuar, apo për qytetarë realë që kanë zgjedhur të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes komenteve online.
Policia paralajmëron se, nëse dyshimet provohen, materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për vepra penale që lidhen me krimet kompjuterike dhe dëmtimin e interesave ekonomike e reputacionit të bizneseve. Hita u bëri thirrje administratorëve të hoteleve, restoranteve dhe subjekteve turistike që të bëjnë kallëzim dhe të ruajnë provat elektronike.
Deklarata ka hapur debat, pasi ndërsa protestat qytetare vijojnë në terren, autoritetet tashmë po e zhvendosin vëmendjen edhe te “protesta” online. Kritika kryesore është se Policia duhet të ndajë qartë mes manipulimit të organizuar kibernetik dhe të drejtës së qytetarëve për të shprehur mendim, pakënaqësi apo bojkot ndaj bizneseve që ata i konsiderojnë të lidhura me pushtetin.
Në këtë pikë, çështja nuk është vetëm mbrojtja e reputacionit të turizmit shqiptar, por edhe kufiri mes luftës ndaj abuzimit online dhe rrezikut që shteti të trajtojë si problem penal çdo formë presioni qytetar në internet.