Lidhje


Carlson sulmon projektin e Kushner në Shqipëri: “Jam i tmerruar nga korrupsioni që po ndodh hapur”

 

Gazetari amerikan Tucker Carlson ka përdorur Shqipërinë si shembull gjatë një podcasti, ku kritikoi ashpër projektet e mëdha të zhvillimit turistik të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Në deklaratat e tij, Carlson e lidhi projektin në ishullin e Sazanit me idetë për rindërtimin e Gazës pas luftës, duke i paraqitur të dyja si pjesë të të njëjtit model zhvillimi.

 

Gjatë bisedës, Carlson iu referua projektit të planifikuar në Shqipëri dhe vizioneve për zhvillimin e Gazës si destinacione turistike luksoze, duke shprehur shqetësim se interesa të mëdha ekonomike po vendosen mbi mjedisin dhe komunitetet lokale.

 

“Jam i tmerruar nga sasia e korrupsionit që po ndodh hapur tani. Dua të jem i qartë: jam i tmerruar prej tij. Por gjithashtu mendoj se njerëzit që besojnë se po ia hedhin dhe do të shpëtojnë me këto gjëra, nuk do t’ia dalin. Çdo njeri që kryen krime të tilla do të ndëshkohet, në këtë jetë ose në tjetrën. Askush nuk i shpëton asgjëje”, u shpreh Carlson.

 

Në vijim të deklaratës së tij, gazetari amerikan kritikoi edhe ministrat izraelitë Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir për qëndrimet e tyre ndaj luftës në Gaza, duke i përmendur në të njëjtin kontekst me kritikat e tij ndaj projekteve të zhvillimit që, sipas tij, shpërfillin pasojat njerëzore dhe mjedisore.

 

Komentet e Carlson lidhen me projektin e investimit të Jared Kushner në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, një projekt që prej muajsh ka nxitur debat të fortë në Shqipëri. Kundërshtarët e tij argumentojnë se zhvillimi mund të prekë zona me rëndësi të veçantë ekologjike, përfshirë ekosistemin e lagunës së Nartës dhe habitatet e shpendëve shtegtarë, ndërsa mbështetësit e projektit theksojnë potencialin për investime të huaja dhe zhvillim ekonomik.

 

Deklaratat e Tucker Carlson kanë rikthyer në vëmendje projektin shqiptar edhe në mediat dhe debatin publik amerikan, duke e vendosur atë në një kontekst më të gjerë diskutimesh mbi mënyrën se si zhvillimet turistike në shkallë të madhe ndikojnë në mjedis, komunitetet lokale dhe interesin publik.

XS
SM
MD
LG