PD kallëzon në SPAK Ramën dhe Gonxhen për 4.2 milionë eurot e koncertit të Kanye West
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kallëzim në SPAK ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, lidhur me financimin me 4.2 milionë euro të koncertit të Kanye West në Tiranë.
Lajmi është bërë i ditur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar edhe kopjen e kallëzimit të depozituar në Prokurorinë e Posaçme.
Sipas kallëzimit, Rama dhe Gonxhe akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.
Kallëzimi lidhet me vendimin e qeverisë për alokimin e fondit për organizimin e koncertit të artistit amerikan Kanye West, i cili u zhvillua në “Eagle Stadium” në Kashar. Opozita e ka kundërshtuar më herët këtë financim, duke e cilësuar përdorim të fondit rezervë të qeverisë për një aktivitet privat.
