Lidhje


Rama bën hap pas për ligjin 21/2024: BE kërkon heqjen e ndryshimeve për Zonat e Mbrojtura

 

Qeveria shqiptare do të rihapë ndryshimet e miratuara në vitin 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura, pas kërkesave të Bashkimit Europian për përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane. Çështja u bë publike gjatë konferencës së përbashkët në Bruksel pas Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se qeveria shqiptare kishte rënë dakord me Komisionin Europian që gjatë vitit 2026 të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura.

 

Bëhet fjalë për ligjin nr. 21/2024, i cili ndryshoi ligjin bazë nr. 81/2017 dhe që është kundërshtuar fort nga organizata mjedisore dhe opozita për shkak të mundësive që krijon për zhvillime dhe investime në zona të mbrojtura.

 

Pas deklaratës së Marta Kos, kryeministri Edi Rama ndërhyri për të sqaruar se, sipas tij, ligji nuk do të shfuqizohet plotësisht.

 

Rama tha se ligji për Zonat e Mbrojtura do të rishikohet dhe se do të ndryshohen ato dispozita që nuk janë në përputhje me standardet europiane. Ai këmbënguli se ligji aktual është ndër ligjet më të mira që ka Shqipëria në këtë fushë.

 

Në këtë mënyrë, mes deklaratës së Komisioneres europiane dhe asaj të kryeministrit mbetet një ndryshim i rëndësishëm në formulim: Marta Kos foli për shfuqizimin e amendamenteve të vitit 2024, ndërsa Rama foli për rishikim dhe ndryshim të pjesshëm të ligjit.

 

Juridikisht, këto dy qëndrime mund të bashkohen nëse qeveria vendos të mbajë në fuqi ligjin bazë për Zonat e Mbrojtura, por të heqë ose të ndryshojë dispozitat e futura me ligjin nr. 21/2024.

 

Politikisht, megjithatë, deklarata përbën një hap pas nga qëndrimi i deritanishëm i qeverisë, e cila kishte mbrojtur fort ndryshimet ligjore të vitit 2024.

 

Marta Kos bëri të qartë se marrëveshja mes Komisionit Europian dhe qeverisë shqiptare për rishikimin e këtyre ndryshimeve ishte arritur përpara nisjes së protestave të fundit në Shqipëri.

 

Çështja lidhet drejtpërdrejt me Kapitullin 27 të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, i cili mbulon mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

 

Në të njëjtën konferencë, u konfirmua gjithashtu se qeveria do të shfuqizojë ligjin për Investimet Strategjike dhe do ta zëvendësojë atë me një ligj të ri.

 

Pavarësisht tërheqjes në planin ligjor, Rama nuk është tërhequr nga mbështetja për projektet e zhvillimit në Zvërnec. Ai ka deklaruar se projektet do të vijojnë vetëm nëse përputhen me standardet europiane.

 

Për momentin, mbetet për t’u parë nëse qeveria do të zhbëjë në thelb ndryshimet e ligjit nr. 21/2024, siç kërkon Komisioni Europian, apo do të ndërhyjë vetëm në disa prej dispozitave më të debatueshme.

XS
SM
MD
LG