Lidhje


Kosova “pushton” sërish bregdetin shqiptar: Shqipëria mbetet destinacioni numër 1, miliona euro për ekonominë

 

Shqipëria vazhdon të jetë destinacioni kryesor i pushimeve për qytetarët e Kosovës edhe gjatë sezonit veror 2026. Përfaqësues të sektorit të turizmit dhe biznesit thonë se, pas një periudhe kur shumë kosovarë provuan destinacione të tjera evropiane pas liberalizimit të vizave, një pjesë e madhe janë rikthyer sërish në bregdetin shqiptar, të tërhequr nga çmimet, afërsia, infrastruktura dhe oferta turistike.

 

Kryetari i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Ruzhdi Kurtishaj, vlerëson se qytetarët e Kosovës përbëjnë mbi 50% të turistëve që vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit veror. Sipas tij, paketat all inclusive në Shqipëri janë mbi 20% më të lira se ofertat e ngjashme në Greqi, Turqi, Mal të Zi apo Kroaci. Ai shton se në Shëngjin mbi 70% e pushuesve janë nga Kosova, ndërsa për pushime njëjavore ose më të gjata preferohet kryesisht bregdeti i jugut.

 

Edhe drejtues të Unionit të Turizmit të Kosovës dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës theksojnë se Shqipëria mbetet zgjedhja kryesore falë organizimit më të mirë të sezonit, kontrollit më të madh të çmimeve, gamës së akomodimeve dhe lidhjes së lehtë përmes Rrugës së Kombit. Sipas tyre, ndikim ka edhe fakti që shumë qytetarë të Kosovës kanë blerë tashmë prona në Shqipëri dhe e vizitojnë vendin gjatë gjithë vitit, jo vetëm në verë.

 

Studimi më i fundit i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) vlerëson se vetëm gjatë 26 fundjavave të sezonit turistik, nga maji deri në tetor 2026, qytetarët e Kosovës pritet të shpenzojnë rreth 195 milionë euro në Shqipëri. Sipas studimit, mesatarisht rreth 25 mijë kosovarë kalojnë fundjavën në Shqipëri, duke shpenzuar të paktën 300 euro për person për akomodim, ushqim, transport, karburant, argëtim dhe blerje. Vetëm gjatë një fundjave, ekonomia shqiptare përfiton rreth 7.5 milionë euro nga vizitorët e Kosovës.

 

Edhe të dhënat kufitare tregojnë një fluks të lartë. Gjatë muajve maj dhe qershor janë regjistruar mbi 2 milionë hyrje-dalje në pikat kufitare mes Kukësit dhe Kosovës, ndërsa vetëm në një të shtunë të korrikut, përmes Morinës hynë në Shqipëri mbi 12 mijë qytetarë me rreth 2.900 automjete. Për automjetet me targa të Kosovës vazhdon të zbatohet regjimi i kalimit të lehtësuar, ndërsa për automjetet e huaja procedurat janë përshpejtuar për të shmangur pritjet.

 

Tendenca konfirmohet edhe nga shifrat e INSTAT. Në pesëmujorin e parë të vitit 2026, hyrjet e shtetasve nga Kosova në Shqipëri u rritën me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kosova vijon të mbajë peshën kryesore të turizmit në vend, duke përfaqësuar rreth 34% të të gjitha hyrjeve të turistëve të huaj, tre herë më shumë se Italia, e cila renditet e dyta.

XS
SM
MD
LG