Elisa Spiropali propozon “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”: Kërkon dialog kombëtar dhe reformim të PS-së
Elisa Spiropali ka bërë publik një mocion të dërguar kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, Asamblesë Kombëtare, anëtarësisë dhe Grupit Parlamentar socialist, për hapjen e një dialogu kombëtar mbi atë që ajo e quan “Marrëveshja e Re për Shqipërinë”. Në dokument, Spiropali vlerëson se mobilizimi qytetar dhe protestat e javëve të fundit nuk duhet të shpërfillen apo të trajtohen si kërcënim, por si një kërkesë për më shumë përfaqësim, llogaridhënie, meritokraci dhe kufizim të personalizimit të pushtetit.
Ajo kërkon që ndryshimi të nisë nga vetë Partia Socialiste, përmes demokratizimit të brendshëm, zgjedhjeve konkurruese në strukturat e saj, rikthimit të debatit, hapësirës më të madhe për të rinjtë dhe ndarjes së qartë mes partisë dhe shtetit.
Spiropali kritikon gjithashtu modelin politik të krijuar nga marrëveshja e vitit 2008, duke argumentuar se ai nuk garanton më konkurrencën dhe përfaqësimin që kërkon shoqëria. Mes propozimeve të saj është kalimi drejt një sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura, i paraprirë nga demokratizimi i partive politike.
Mocioni përfshin edhe kërkesa për forcimin e Parlamentit, pavarësinë e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, administratë profesionale, media të lirë dhe ekonomi me më shumë konkurrencë e më pak favorizim politik.
Në përfundim, Spiropali propozon që debati të mos mbetet vetëm brenda PS-së, por të përfshijë qytetarët, partitë politike, universitetet, ekspertët, biznesin, shoqërinë civile dhe diasporën. Sipas saj, marrëveshja e re duhet të nisë me ndryshimin e mënyrës se si ushtrohet pushteti dhe me vendosjen e shtetit mbi partinë.