Lidhje


Gjykata e Lartë rrëzon Ballukun, mbetet në fuqi pezullimi nga detyra

 

Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin, mbetet në fuqi pezullimi nga detyra i Belinda Ballukut. Masa ka qenë “pezullim nga ushtrimi i funksioneve”. Ankimimi ishte bërë nga avokatët e ish-zv/kryeministres Balluku, e cila e cilësonte të paligjshëm masën e vendosur nga GJKKO me kërkesë të SPAK që nga fillimi i këtij viti.

 

Balluku është nën akuzë nga SPAK për tunelin e Llogarasë, 11 procedura të tjera tenderuese dhe së fundmi për pastrimin e parave e fshehje pasurie në lidhje me një vilë në Dhërmi, që dyshohet se është në pronësi të saj, por e fshehur në emra të tjerë.

 

Me këtë vendim, Gjykata e Lartë nuk ndryshon vendimet e mëparshme të gjykatave të Posaçme, të shkallës së pare dhe Apelit, që do të thotë se masa e pezullimit ndaj Ballukut mbetet në fuqi dhe ajo nuk mund të rikthehet më në funksione publike.

 

Edhe Kushtetuesja ishte ndarë 4 me 4 në votim gjatë muajit shkurt për një ankimim të Kryeministrit në lidhje me pezullimin, duke lënë në fuqi GJKKO e SPAK.

 

Balluku pretendoi se për shkak se nuk ushtron më funksione shtetërore, masa e pezullimit nuk kishte efekt dhe për këtë arsye kërkoi shfuqizimin e saj. Por kolegji penal vendosi mospranimin e rekursit.

 

Ish-zv.kryeministrja po hetohet për korrupsion, pastrim parash dhe abuzime me tenderat e rrugëve. Ndaj saj është në fuqi edhe masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit.

 

Ndërsa maxhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK për leje për ta arrestuar ish-ministren. Balluku është nën hetim për korrupsion, pastrim parash e abuzime me tenderat.

XS
SM
MD
LG