Lidhje


BE i kërkon Ramës të shfuqizojë dy ligje kyçe, por mazhoranca bllokon nismat në Kuvend

 

Komisioni Europian i ka kërkuar zyrtarisht qeverisë shqiptare të shfuqizojë ligjin për Investimet Strategjike dhe ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke i cilësuar këto si pjesë të angazhimeve që Shqipëria duhet të përmbushë në procesin e integrimit europian.

 

Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria ishte angazhuar që brenda këtij viti të shfuqizonte amendamentet e vitit 2024 për Zonat e Mbrojtura. Ajo theksoi se mbrojtja e mjedisit është një nga kriteret themelore të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe se legjislacioni shqiptar duhet të përshtatet me standardet europiane.

 

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama konfirmoi se ligji për Investimet Strategjike do të shfuqizohet, ndërsa për ligjin e Zonave të Mbrojtura tha se nuk do të anulohet, por do të ndryshohet për t'u përafruar plotësisht me standardet e Bashkimit Europian. Në të njëjtën kohë, ai ritheksoi se projekti turistik në Zvërnec do të vazhdojë.

 

Ndërkohë, në Kuvend, mazhoranca socialiste ka kundërshtuar futjen në shqyrtim të nismave të opozitës që kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura. Një propozim i deputetes Ina Zhupa nuk u përfshi në kalendarin e punimeve të Komisionit për Turizmin, ndërsa edhe nisma të ngjashme të depozituara nga deputeti Redi Muçi vijojnë të mos shqyrtohen.

 

Opozita argumenton se ligji për Investimet Strategjike dhe ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura kanë favorizuar projekte ndërtimi në zona të ndjeshme dhe bien ndesh me angazhimet e Shqipërisë ndaj Bashkimit Europian. Sipas deputetes Jorida Tabaku, këto ligje janë kritikuar prej vitesh nga institucionet europiane dhe vazhdojnë të mbeten jashtë axhendës së Kuvendit, pavarësisht kërkesave të përsëritura për shfuqizimin e tyre.

 

Debati është intensifikuar edhe pas protestave për projektin turistik në Zvërnec, ndërsa kërkesa e Brukselit pritet të shtojë presionin ndaj qeverisë për ndryshimin e legjislacionit në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE.

XS
SM
MD
LG