Rama reagon për deklaratën e ministres serbe: “Idiotësi”; refuzon thirrjet për reagime të tjera
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila tha se, po të kishte qenë në pushtet gjatë vitit 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Në një postim në platformën X, Rama e cilësoi deklaratën e ministres serbe si një “idiotësi”, ndërsa sqaroi se qëndrimi zyrtar i Shqipërisë ishte shprehur tashmë përmes ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Kryeministri hodhi poshtë kritikat se edhe ai apo çdo institucion shqiptar duhet të reagonte veçmas ndaj deklaratës. Sipas tij, Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në një “kor histerik” sa herë një zyrtar në Beograd bën deklarata provokuese.
“Ne kemi reaguar përmes ministrit të Jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten”, shkroi Rama, duke shtuar se ata që kërkojnë reagime nga çdo autoritet shqiptar “kanë ngatërruar adresë”.
Rama kritikoi gjithashtu kundërshtarët politikë në Tiranë, të cilët, sipas tij, e përdorën deklaratën për të marrë poza publike si mbrojtës të Kosovës.
Deklarata e Paunoviçit ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e shpalli atë person non grata, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin nëpër territorin e Kosovës. BE-ja e dënoi retorikën që justifikon spastrimin etnik, duke e cilësuar të papajtueshme me vlerat evropiane.