Lidhje


Drama në det pranë Sazanit: 11 emigrantë rrezikojnë të mbyten në një gomone 3-metërshe

 

Një operacion i përbashkët i Policisë Kufitare, Rojës Bregdetare dhe Guardia di Finanza-s ka shpëtuar 11 emigrantë që rrezikonin të mbyteshin në det, në veri të ishullit të Sazanit.

 

Sinjalizimi u mor rreth orës 07:30 të së premtes, përmes një telefonate nga një numër grek. Emigrantët ndodheshin në një gomone rreth tre metra të gjatë, me motor 25 kuaj fuqi dhe me sasi të pamjaftueshme karburanti. Mjeti u lokalizua në hapësirën detare pranë brigjeve të Vlorës dhe të gjithë personat në bord u nxorën në tokë në gjendje të mirë shëndetësore.

 

Bëhet fjalë për pesë shtetas nga Bangladeshi, tre nga Pakistani dhe nga një shtetas nga Afganistani, Haiti dhe Liberia. Sipas raportimit të Top Channel, emigrantët kanë deklaruar se synonin të arrinin në Itali, ndërsa pas shpëtimit u është ofruar ujë dhe ushqim.

 

Policia njoftoi se monitorimi me radar nuk ka evidentuar gjatë 48 orëve të fundit lëvizje të gomones drejt ujërave ndërkombëtare. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të përcaktuar itinerarin, mënyrën e nisjes dhe personat që mund të kenë organizuar udhëtimin.

XS
SM
MD
LG