Lidhje


Topulli akuzon Ramën për standard të dyfishtë: “Non grata shqiptaren nga Kosova, por jo ministren serbe që foli për spastrim etnik”

 

Teologu Justinian Topulli ka reaguar ashpër ndaj qeverisë shqiptare, duke e akuzuar atë për standard të dyfishtë në raport me shpalljen e personave të padëshiruar në Shqipëri. Përmes një statusi në Facebook, Topulli i referohet vendimit të autoriteteve shqiptare për t’i ndaluar për 15 vjet hyrjen në Shqipëri teologes nga Kosova, Ikballe Berisha Huduti, e cila kishte marrë pjesë në protestat e zhvilluara në Tiranë dhe njihet për qëndrimet e saj mbështetëse ndaj Iranit.

 

Në të njëjtën kohë, Topulli kritikon faktin se Shqipëria nuk ka ndërmarrë një masë të ngjashme ndaj ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila deklaroi se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Deklarata e ministres serbe u dënua edhe nga Bashkimi Evropian si retorikë e papranueshme që promovon spastrimin etnik.

 

“Qeveria e Shqipërisë shpall non grata një shqiptare të Kosovës, sepse mori pjesë në Tiranë në protestë dhe ishte filo-iraniane, ndërkohë nuk gjen asnjë motiv të shpallë non grata një ministre serbe në detyrë që deklaron se do të kishte bërë spastrim etnik në Kosovë”, shkruan Topulli.

 

Ai ironizon edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili, pas kritikave për qëndrimin ndaj ministres serbe, deklaroi se Shqipëria nuk mund të bëhet “kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart”. Rama tha se Tirana zyrtare kishte reaguar përmes ministrit të Jashtëm dhe se nuk ishte e nevojshme që çdo autoritet të reagonte individualisht.

 

Sipas Topullit, është kontradiktore që Rama ta minimizojë deklaratën e një ministreje në detyrë të Serbisë, ndërsa qeveria shqiptare merr një masë të rëndë administrative ndaj një qytetareje nga Kosova “pa asnjë peshë” politike ose institucionale.

 

“Ndërkohë si serioz i madh që është, bën non grata një shqiptare pa asnjë peshë”, shkruan Topulli, duke e mbyllur reagimin me tone të ashpra ndaj kryeministrit.

XS
SM
MD
LG