ALARM NGA BRUKSELI/ Rasti Balluku fut qeverinë Rama në “listën e zezë” të sundimit të ligjit: Kuvendi ngriti mur para SPAK-ut
Komisioni Europian ka shtuar presionin ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke e përfshirë trajtimin parlamentar të çështjes së Belinda Ballukut mes zhvillimeve problematike për sundimin e ligjit në Shqipëri. Në raportin e fundit, Brukseli kritikon refuzimin e Kuvendit, në mars 2026, për të autorizuar procedurat e kërkuara nga SPAK-u ndaj një deputeteje të akuzuar për shkeljen e barazisë në tenderë.
Megjithëse Balluku nuk përmendet me emër, të dhënat e raportit i referohen qartësisht rastit të ish-zëvendëskryeministres. Komisioni Europian paralajmëron se vendimi i shumicës parlamentare ngre shqetësime serioze për ndarjen dhe kontrollin e pushteteve, si edhe për barazinë e qytetarëve përpara ligjit.
Brukseli kritikon gjithashtu propozimin e deputetëve të mazhorancës për zgjerimin e kategorisë së zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra gjatë proceseve penale. Sipas raportit, përmbajtja dhe koha e paraqitjes së ndryshimeve mund të dobësojnë hetimet ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe të krijojnë perceptimin se politika po ndërton mburoja ligjore për zyrtarët e saj.
Ndërsa vlerëson progresin e reformës në drejtësi dhe punën e SPAK-ut, Komisioni Europian e përdor rastin Balluku për të nënvizuar se lufta kundër korrupsionit nuk varet vetëm nga aftësia e prokurorëve për të hetuar, por edhe nga gatishmëria e institucioneve politike për të mos penguar drejtësinë kur preken figura të fuqishme të qeverisë.