Të shtëna në Elbasan, dy ishin shënjestra; kamarieri u plagos aksidentalisht
Detaje të reja janë zbardhur nga sulmi me armë zjarri i regjistruar mbrëmjen e së dielës në verandën e një lokali në lagjen “Vullnetari” në Elbasan, ku mbetën të plagosur tre persona. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, shënjestra të autorit dyshohet se kanë qenë Armand Tomorrica, 32 vjeç, dhe Renaldo Mance, 31 vjeç, ndërsa 19-vjeçari Bjorgi Hoxha, i cili punonte si kamarier në lokal, është plagosur aksidentalisht.
Dyshohet se autori kishte pasur një konflikt të mëparshëm me Tomorricën dhe Mancen. Në momentin e ngjarjes, dy personat ndodheshin të ulur në një tavolinë në verandën e lokalit, në shoqërinë e 19-vjeçarit. Autori është afruar, i ka ofenduar verbalisht dhe më pas ka nxjerrë një pistoletë, duke qëlluar disa herë në drejtim të tyre.
Nga të shtënat, njëri prej të plagosurve ka marrë një plagë të lehtë në shpatull, një tjetër është goditur në këmbë, ndërsa personi i tretë ka pësuar vetëm një gërvishtje nga plumbi. Të tre u transportuan në Spitalin Rajonal të Elbasanit, por u larguan drejt banesave të tyre rreth dy orë më vonë, pasi plagët nuk rezultuan të rrezikshme për jetën.
Në momentin e sulmit, brenda lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit. Sapo ka dëgjuar krismat, ai ka dalë menjëherë dhe është vënë në ndjekje të autorit. Gjatë arratisjes, i dyshuari ka hedhur armën e zjarrit, e cila është sekuestruar nga policia si provë materiale, por ka arritur të largohet në thellësi të lagjes.
Ekspertët e Policisë Shkencore kanë gjetur dhe sekuestruar në vendngjarje gjashtë gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike. Grupi hetimor ka administruar gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit dhe të bizneseve përreth, ndërsa ka marrë në pyetje edhe tre të plagosurit për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Pas sulmit, forca të shumta policie rrethuan zonën dhe zhvilluan kontrolle intensive në një perimetër të gjerë. Autori vijon të jetë në arrati, ndërsa hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë, po përqendrohen në identifikimin dhe arrestimin e tij, si dhe në dokumentimin e konfliktit që dyshohet se çoi në të shtënat.