Lidhje


Stuhia përmbys kontejnerët në Durrës: 21 fidera jashtë pune, Patosi pa ujë

 

Moti i rënduar me reshje intensive dhe erëra të fuqishme ka shkaktuar probleme në disa zona të Shqipërisë. Sipas bilancit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, 21 fidera dolën jashtë funksionit, duke prekur furnizimin me energji në Vlorë, Fier, Sarandë dhe Librazhd. Mbi 1 mijë punonjës u angazhuan në terren për riparimin e defekteve.

 

Në Portin e Durrësit, era rrëzoi disa kontejnerë bosh në terminal, tetë prej të cilëve pësuan dëmtime më të mëdha. Aktiviteti në pjesët e tjera të portit vijoi normalisht, ndërsa në Aeroportin e Tiranës u regjistruan disa vonesa të lehta në fluturimet hyrëse.

 

Stuhia shkaktoi gjithashtu probleme në stacionet e pompimit të ujit. Furnizimi u rikthye në Fier, Sarandë dhe Ksamil, por Patosi mbeti përkohësisht pa ujë për shkak të mungesës së energjisë në stacionin e Varibopit. Akset kombëtare mbetën të kalueshme, ndërsa ekipet rrugore ndërhynë për largimin e gurëve, pemëve dhe materialeve të rëna.

XS
SM
MD
LG