Përplasjet para Kuvendit, Lamallari mbron policinë: “Sjellje shembullore, dhunuesit para drejtësisë”
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka mbrojtur veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestave para Kuvendit, duke deklaruar se efektivët treguan maturi dhe profesionalizëm, pavarësisht provokimeve dhe dhunës së ushtruar ndaj tyre.
Sipas ministrit, autoritetet kanë administruar pamje filmike, materiale audio dhe prova të ofruara nga mediat për incidentet. Personat e dyshuar për sulme ndaj policëve, gazetarëve dhe deputetëve janë proceduar penalisht, ndërsa disa masa sigurie janë konfirmuar nga gjykata.
Lamallari theksoi se duhet bërë dallimi mes qytetarëve që protestojnë paqësisht dhe individëve që ushtrojnë dhunë ose intimidojnë përfaqësuesit publikë. Ai i cilësoi sulmet me gurë, vezë dhe sende të tjera si veprime që nuk kanë lidhje me ushtrimin demokratik të së drejtës së protestës.
Ministri hodhi poshtë pretendimet për dhunë të përgjithshme policore, duke argumentuar se episode të shkëputura dhe të publikuara jashtë kontekstit nuk pasqyrojnë menaxhimin e plotë të protestave. Sipas tij, policia do të vazhdojë të garantojë tubimet paqësore, por edhe të ndjekë penalisht personat që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.a