Lidhje


Kuvendi u blindua, qytetarët çanë rrethimin: Gaz, ujë dhe të plagosur në revoltën kundër gjithë klasës politike

 

Protesta qytetare kundër qeverisë u zhvendos mëngjesin e 23 korrikut përpara Kuvendit të Shqipërisë, duke prodhuar përplasjen më të fortë të deritanishme në 54 ditët e mobilizimit. Qytetarët u mblodhën që prej orës 08:30, ndërsa brenda Parlamentit zhvillohej seanca e fundit plenare përpara pushimeve verore. Mesazhi i protestës ishte i drejtpërdrejtë: deputetët e mazhorancës dhe opozitës nuk përfaqësojnë më qytetarët dhe duhet t’i hapin rrugë një ndryshimi politik.

 

Që në orët e para, zona përreth Kuvendit ishte kthyer në një perimetër të fortifikuar, me gardhe metalike, kordonë të shumtë policorë dhe autobote me ujë. Në vend që të përballeshin politikisht me zemërimin qytetar, institucionet zgjodhën ta izolonin Parlamentin nga rruga. Protestuesit hoqën dy prej barrierave metalike dhe tentuan të afroheshin drejt godinës, ndërsa drejt policisë u hodhën vezë, domate, bidonë dhe sende të tjera.

 

Policia reagoi duke përdorur ujë me presion, spraj piperi dhe gaz lotsjellës. Pamjet nga terreni treguan protestues me irritim të lëkurës, vështirësi në frymëmarrje dhe probleme me shikimin. Megjithatë, një pjesë e qytetarëve u rikthyen sërish përpara Parlamentit, duke treguar se ndërhyrja policore nuk arriti ta shuante protestën.

 

Tensionet sollën të lënduar nga të dyja palët. Të paktën pesë punonjës policie u raportuan të dëmtuar, ndërsa një efektiv u shfaq me plagë në kokë. Dy protestues u raportuan të lënduar, ndërsa një i ri, i gjakosur në kokë, u transportua drejt ambulancës duke u bërë thirrje qytetarëve: “Mos u dorëzoni!”. Pak para mesditës, një tjetër protestues humbi ndjenjat dhe u dërgua për ndihmë mjekësore.

 

Pas përplasjes së parë, turma u zhvendos drejt kryqëzimit të “Rrugës së Elbasanit”, ku protestuesit bllokuan përkohësisht qarkullimin dhe u kërkuan drejtuesve të automjeteve të fiknin motorët. Më pas, mobilizimi u shtri edhe në bulevardin “Zhan D’Ark”, ku u vendosën kosha mbeturinash në rrugë. Policia ndërhyri për të liruar akset dhe shoqëroi të paktën një protestues.

 

Në një moment simbolik, disa qytetarë u dhanë lule efektivëve, duke përcjellë mesazhin se protesta nuk e konsideronte armike policinë e thjeshtë, por pushtetin politik që e kishte vendosur atë përballë qytetarëve. Ky gjest erdhi pas përdorimit të ujit, gazit dhe sprajit të piperit dhe krijoi një kontrast të fortë me retorikën e qeverisë, e cila tentoi ta paraqiste të gjithë protestën si dhunë.

 

Brenda sallës së Kuvendit, mazhoranca dhe opozita vijuan përplasjet verbale, ndërsa jashtë qytetarët kërkonin largimin e të dyja kampeve politike. Taulant Balla e cilësoi situatën “terrorizëm”, ndërsa ministri i Brendshëm Besfort Lamallari deklaroi se lëndët e përdorura nga policia ishin të certifikuara dhe akuzoi protestuesit se mes tyre kishte persona të paguar. Kjo gjuhë e qeverisë e zhvendosi debatin nga kërkesat politike të qytetarëve te kriminalizimi i protestës dhe justifikimi teknik i mjeteve të përdorura kundër tyre.

 

Opozita, nga ana tjetër, mbërriti në Kuvend nga një hyrje dytësore. Sali Berisha kërkoi “vetëshpërndarjen dhe shkrirjen” e Parlamentit, por deputetët e PD-së hynë normalisht në seancë dhe vijuan aktivitetin parlamentar. Ky kontrast ekspozoi edhe një herë distancën mes retorikës së opozitës dhe veprimit konkret: jashtë kërkohej fundi i sistemit politik, ndërsa brenda të dyja palët vazhdonin debatin sipas së njëjtës rutinë institucionale.

 

Thirrjet “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”, të dëgjuara nga turma, e bënë të qartë se protesta nuk po kërkon thjesht rotacion mes PS-së dhe PD-së. Pakënaqësia është drejtuar ndaj një klase politike që qytetarët e konsiderojnë përgjegjëse për kapjen e shtetit, korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe mungesën e përfaqësimit real.

 

Deri në orën 12:00, protesta nuk kishte prodhuar vetëm një përplasje fizike përpara Parlamentit. Ajo kishte ekspozuar tri realitete: një qeveri që mbrohet nga qytetarët me barriera dhe gaz; një opozitë që flet për rrëzimin e sistemit, por vazhdon të funksionojë brenda tij; dhe një lëvizje qytetare që, edhe pas 54 ditësh, vazhdon të rezistojë pa iu dorëzuar as pushtetit dhe as përpjekjeve të partive për ta marrë nën kontroll.

XS
SM
MD
LG