“Republika e kafeneve”/ Një në tetë biznese në Shqipëri është bar ose restorant, rekord në Europë
Shqipëria rezulton vendi me peshën më të lartë të bareve, restoranteve dhe shërbimeve ushqimore në strukturën e biznesit, duke krijuar një model ekonomik pothuajse unik në Europë. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, të përpunuara nga revista ekonomike Monitor, në vend operojnë 15.445 ndërmarrje në kategorinë që përfshin baret, kafenetë, restorantet, kateringun dhe shërbimet e tjera të ushqimit e pijeve. Ato përfaqësojnë 12,28% të të gjitha ndërmarrjeve të përfshira në statistika, ose më shumë se një në çdo tetë biznese shqiptare.
Kjo peshë është rreth 2,6 herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila llogaritet në 4,73%. Pas Shqipërisë renditen Serbia me 8,43%, Greqia me 8,25%, Spanja me 7,51%, Kroacia me 7,28% dhe Turqia me 7,05%.
Nëse llogariten edhe 2.517 ndërmarrjet që ofrojnë akomodim, sektori i hotelerisë dhe shërbimeve ushqimore arrin në 17.962 biznese, ose 14,3% të totalit. Edhe sipas këtij treguesi, Shqipëria mban peshën më të lartë ndër vendet europiane të krahasuara, përpara Greqisë, Serbisë dhe Portugalisë.
Vendi renditet gjithashtu i treti në Europë për numrin e këtyre bizneseve në raport me popullsinë, me 6,63 bare, restorante dhe shërbime ushqimore për çdo 1.000 banorë. Vetëm Greqia, me 7,4, dhe Portugalia, me 6,95 ndërmarrje për 1.000 banorë, kanë një dendësi më të lartë. Mesatarja e BE-së është rreth 3,5, pothuajse gjysma e nivelit shqiptar.
Përhapja e bar-kafeneve nuk shpjegohet vetëm nga rritja e turizmit. Ky model është zhvilluar prej dekadash, për shkak të kapitalit relativisht të ulët që kërkohet për hapjen e një lokali, kulturës së konsumit të kafesë dhe mungesës së alternativave më të mëdha për investime prodhuese. Bumi turistik i viteve të fundit ka shtuar kërkesën, veçanërisht në Tiranë, në bregdet dhe në destinacionet turistike.
Megjithatë, numri rekord i lokaleve nuk nënkupton automatikisht një sektor me produktivitet të lartë. Pjesa më e madhe janë sipërmarrje të vogla ose familjare, me qarkullim dhe numër të kufizuar punonjësish. Oferta e madhe ka krijuar konkurrencë të fortë dhe një treg të fragmentuar, ndërsa bizneset përballen me rritjen e çmimeve të ushqimeve, energjisë, qirave dhe pagave, si dhe me mungesën e fuqisë punëtore./Monitor