Rama pranon goditjen e protestës: Socialistët dolën në shesh, administrata po poshtëron qytetarët!
Kryeministri Edi Rama pranoi për herë të parë se protesta e zhvilluar prej javësh në Tiranë përbën një sinjal të fortë për qeverinë, duke theksuar se mazhoranca nuk mund të vazhdojë të mbështetet vetëm te investimet, rrugët apo treguesit ekonomikë. Në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, Rama deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, ku qytetarët nuk mjaftohen më me krahasimin me të shkuarën, por kërkojnë standarde më të larta dhe më shumë përgjegjësi nga shteti.
Një nga momentet më domethënëse të fjalimit ishte pranimi se mes protestuesve kishte edhe anëtarë e mbështetës të Partisë Socialiste, si edhe punonjës të administratës publike. Sipas tij, kjo tregon se protesta nuk mund të shihet vetëm si një mobilizim politik i opozitës.
Rama drejtoi kritika të forta ndaj administratës shtetërore, të cilën e akuzoi për arrogancë, mungesë empatie dhe sjellje burokratike ndaj qytetarëve. Ai tha se shumë punonjës publikë i sorollasin qytetarët, nuk i dëgjojnë dhe në disa raste kërkojnë ryshfet, duke krijuar një klimë pakënaqësie që, sipas tij, ka ndikuar edhe në protestat e fundit.
Për të ilustruar këtë situatë, kryeministri solli shembullin e një qytetareje që, sipas tij, nuk protestonte vetëm për projektin e Zvërnecit, por edhe sepse duhej të ngrihej që në agim për të zënë radhë në poliklinikë.
Në fund të kësaj pjese të fjalimit, Rama pranoi se qeveria duhet të ndryshojë mënyrën e komunikimit dhe raportin me qytetarët, duke theksuar se "epoka e investimeve" nuk mjafton më nëse njerëzit ndihen të papërfillur nga shteti.