Lidhje


Rama asnjë hap pas: Mbron Zvërnecin, prezanton planin “Besa” dhe premton vetëm ndryshim të qeverisjes

 

Megjithëse pranoi se protestat kanë nxjerrë në pah pakënaqësi reale, kryeministri Edi Rama nuk sinjalizoi asnjë tërheqje nga projektet që kanë shkaktuar debat publik.Në mbledhjen me deputetët socialistë dhe ministrat, Rama mbrojti investimin strategjik në Zvërnec, duke përsëritur se toka ku do të zhvillohet projekti është pronë private dhe se nuk bëhet fjalë për "shitje të Shqipërisë".

 

Ai pranoi se qeveria nuk ka arritur t'ua shpjegojë bindshëm qytetarëve projektin dhe se hendeku mes argumenteve të qeverisë dhe perceptimit të publikut është një nga arsyet që ushqeu protestat.

 

Rama deklaroi gjithashtu se ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura do të rishikohen në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian, por pa lënë të kuptohet se qeveria do të tërhiqet nga projektet strategjike.

 

Në të njëjtën kohë ai prezantoi dokumentin politik "Besa", të cilin ua shpërndau deputetëve dhe drejtuesve socialistë si bazën e një mënyre të re qeverisjeje në mandatin e katërt.

 

Sipas Ramës, dokumenti synon të ndryshojë marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarëve, në mënyrë që administrata të jetë më e përgjegjshme dhe qytetarët të mos ndihen të lënë pas dore.

 

Megjithatë, në të gjithë fjalimin nuk pati asnjë sinjal për dorëheqje, ndryshim kursi politik apo anulim të projekteve që kanë qenë në qendër të protestave.

XS
SM
MD
LG