Rama ndan sheshin në “flamingo” dhe “sorra”: Pranon zemërimin qytetar, por fajëson opozitën dhe të huajt
Pavarësisht reflektimit për disa nga shkaqet e protestave, kryeministri Edi Rama vijoi të argumentojë se një pjesë e lëvizjes është përdorur për interesa politike. Në fjalën e tij ai bëri dallimin mes asaj që e quajti "flamingot" – qytetarët me shqetësime reale – dhe "korbave", të cilët sipas tij përfaqësojnë aktorët politikë që kërkojnë destabilizim dhe konflikt.
Rama deklaroi se protesta u shndërrua në një ngjarje me jehonë ndërkombëtare jo vetëm për shkak të pjesëmarrjes qytetare, por edhe sepse, sipas tij, u ndërthurën interesa politike, algoritmet e rrjeteve sociale dhe debati ndërkombëtar për projektin e lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump.
Ai sulmoi opozitën, duke e akuzuar se është përpjekur të përfitojë politikisht nga protesta, ndërsa la të kuptohet se në zhvillimet e fundit kanë ndikuar edhe faktorë të jashtëm, megjithëse nuk paraqiti prova të reja publike për këto pretendime.
Në të njëjtën kohë, Rama këmbënguli se qeveria do të vazhdojë mandatin dhe nuk do të tërhiqet përballë kërkesave për dorëheqje apo qeveri teknike.
Fjalimi i tij u karakterizua nga një kombinim i autokritikës për mënyrën e qeverisjes dhe mbrojtjes së vendimeve strategjike të ekzekutivit, duke përcjellë mesazhin se protesta ka imponuar reflektim, por jo ndryshim të kursit politik.