Lidhje


Si po u falen zonat e mbrojtura oligarkëve me 1 €

Teksa Bashkimi Europian i ka vënë thikën në fyt qeverisë shqiptare duke i kërkuar me ultimatum shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura dhe atë për investimet strategjike, kusht kyç për integrimin europian, qeveria duket se ka vendosur t’i sfidojë hapur të gjithë.

 

Me dy vendime të paligjshme dhe kokëfortësi prej autokrati, shteti ka vulosur një nga aktet më të rënda të tjetërsimit të pasurisë kombëtare. Prapa fasadës së "zhvillimit të turizmit", pushteti i ka hapur rrugën zyrtare grabitjes dhe privatizimit të thesareve natyrore të vendit, duke i kthyer parqet kombëtare dhe zonat e virgjëra në pronë private të klientëve të oborrit.

 

Skema kriminale e zhvatjes është thurur me detaje në vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave. Fillimisht, pasuritë shtetërore në zonat e mbrojtura ose me përparësi turizmin i jepen "investitorëve strategjikë" me qiranë qesharake prej 1 euroje përmes një bashkëpropozimi mes ministrive. Por kjo është vetëm faza e parë e mashtrimit. Pasi vënë këmbë në këto troje të shenjta mjedisore me lekët e taksapaguesve dhe favore politike, klientët e qeverisë fitojnë të drejtën e artë të blerjes totale të tyre. Mjafton që të paraqesin një raport fiktiv investimi mbi 150 për qind të vlerës së truallit, dhe dera e privatizimit me të drejtë parablerjeje hapet menjëherë.

 

Për më keq akoma, për ata që kanë orekse më të mëdha dhe shkelin çdo rregull, qeveria ka hequr edhe afatet kohore. Nëse investimi arrin mbi 750 për qind të vlerës së truallit, e drejta e privatizimit shpërthen në çast, duke anuluar çdo afat minimal prej tre vitesh dhe çdo mundësi kontrolli shtetëror. Zonat e mbrojtura nuk janë më streha e florës dhe faunës, por janë shndërruar në copëza tokash për t'u blerë e shitur në tavolinat e errëta të pazareve politike.

 

Kjo goditje mafioze ndaj mjedisit vjen pikërisht në kohën kur qytetarët kanë mbushur sheshet në protestë kundër kësaj grabitjeje kolosale dhe kur Brukseli e ka bërë të qartë se Shqipëria nuk mund të hyjë në BE me ligje që shkatërrojnë natyrën për hatër të oligarkëve.

 

Përtej propagandës për turizmin elitar, e vërteta e hidhur është se Shqipëria po copëtohet metër pas metri, ndërsa institucionet po legjitimojnë vjedhjen me vulë zyrtare./joq

XS
SM
MD
LG