Tabaku: Ligji i investimeve strategjike, 10 vjet favore për pakicën
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë se e ka shndërruar Ligjin për Investimet Strategjike nga një instrument të përkohshëm për tërheqjen e kapitalit të huaj në një mekanizëm për shpërndarjen pa garë të pronave, aseteve publike dhe privilegjeve fiskale.
Sipas saj, ligji i miratuar në vitin 2015 është ndryshuar nëntë herë, ndërsa gjashtë prej ndërhyrjeve kanë shërbyer vetëm për zgjatjen e afatit të tij. Tabaku tha se amendamentet e propozuara prej saj për mbrojtjen e pronës private dhe ndalimin e kalimit të saj nga një privat te një tjetër përmes ndërhyrjes së shtetit janë rrëzuar vazhdimisht nga mazhoranca.
Deputetja demokrate kujtoi se edhe nisma e saj e vitit 2022 për ndërprerjen e efekteve të ligjit u hodh poshtë, megjithëse, sipas saj, Komisioni Europian kishte ngritur shqetësime për mungesën e konkurrencës dhe trajtimin preferencial të disa bizneseve.
Tabaku e cilësoi ligjin si një nga shembujt më të qartë të “ligjeve me porosi” dhe akuzoi Parlamentin se është përdorur si “noter i qeverisë”. Sipas saj, shfuqizimi i ligjit do të ishte vetëm hapi i parë për çmontimin e një sistemi të ngritur mbi favore, përjashtime fiskale dhe shpërndarje të pasurisë publike te një grup i kufizuar përfituesish.