Para Samitit të NATO-s, Shqipëria merr 302 milionë dollarë borxh nga SHBA për ushtrinë
Shqipëria pritet të finalizojë në Kuvend një marrëveshje huaje prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara, me qëllim modernizimin e Forcave të Armatosura dhe blerjen e pajisjeve ushtarake.
Marrëveshja është parashikuar të shqyrtohet gjatë seancës parlamentare të thirrur më 30 korrik, ndonëse sesioni i zakonshëm i Kuvendit ka përfunduar. Përpara votimit në seancë plenare, projekti pritet të kalojë në komisionet parlamentare.
Ndryshe nga raportimet fillestare, të cilat flisnin përgjithësisht për një marrëveshje prej rreth 300 milionë dollarësh ose eurosh për blerje armatimi, bëhet fjalë për një hua të drejtpërdrejtë prej 302 milionë dollarësh, të miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave që më 19 qershor.
Financimi do të sigurohet përmes programit amerikan të Financimit të Jashtëm Ushtarak, FMF, ndërsa marrëveshja do të nënshkruhet ndërmjet Ministrisë shqiptare të Financave dhe Agjencisë amerikane për Bashkëpunimin e Sigurisë së Mbrojtjes, DSCA.
Paratë pritet të përdoren për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, pajisje ushtarake, armatime dhe projekte të modernizimit të ushtrisë. Ende nuk është publikuar një listë e detajuar e sistemeve që do të blihen, afatet e shlyerjes, norma e interesit dhe kushtet e tjera financiare të huas.
Lëvizja vjen në një moment kur Tirana kërkon të përmirësojë me shpejtësi treguesit e saj të mbrojtjes dhe të tregojë se është e gatshme të përmbushë angazhimet ndaj NATO-s. Shqipëria është nën presion për të rritur shpenzimet reale ushtarake, ndërsa janë ngritur pikëpyetje brenda Aleancës për nivelin e ulët të financimit të mbrojtjes dhe për organizimin e samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027.
Qeveria ka parashikuar gjithashtu një rritje shtesë të buxhetit të mbrojtjes gjatë vitit 2026, duke synuar që shpenzimet e deklaruara për sigurinë dhe mbrojtjen të arrijnë rreth 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, jo e gjithë kjo përqindje përfaqëson domosdoshmërisht shpenzime të drejtpërdrejta ushtarake.
Marrëveshja prej 302 milionë dollarësh përbën një nga angazhimet më të mëdha financiare të ndërmarra nga Shqipëria për modernizimin e ushtrisë. Për shkak se financimi merret në formën e huas, kostoja përfundimtare do të rëndojë mbi borxhin publik dhe buxhetet e ardhshme të shtetit.