Lidhje


SPAK shuan zhurmën: Asnjë hetim për projektet në Zvërnec dhe Sazan

 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka deklaruar se nuk po zhvillon asnjë hetim ndaj Jared Kushnerit apo ndaj projekteve të lidhura me të në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit.

 

Qëndrimi është dhënë në përgjigje të interesimit të një numri mediash ndërkombëtare, të cilat i janë drejtuar SPAK-ut për të mësuar nëse projektet turistike të lidhura me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump janë bërë objekt i një hetimi penal.

 

Në pyetjen drejtuar nga Fox News nëse SPAK po hetonte një projekt zhvillimi të lidhur me Jared Kushnerin, Prokuroria e Posaçme u përgjigj se nuk ka asnjë procedim të hapur për ndonjë projekt të lidhur me biznesmenin amerikan.

 

“SPAK nuk ka asnjë hetim të hapur në lidhje me ndonjë projekt të lidhur me z. Jared Kushner.”

 

Prokuroria konfirmoi ndërkohë se ka regjistruar një hetim tjetër, por theksoi se ai nuk lidhet me objektin e pyetjeve të mediave për Kushnerin, Zvërnecin apo Sazanin. Për shkak të sekretit hetimor, institucioni nuk dha të dhëna mbi natyrën, personat apo veprat penale që mund të jenë objekt i kësaj dosjeje.

 

Pyetje të ngjashme mësohet se janë dërguar edhe nga CNN, CBS News, MSNBC, Anadolu Agency, RAI Tre, The Times dhe zyra londineze të disa mediave të mëdha amerikane. Interesimi i gazetarëve është përqendruar te pronësia e tokave në Zvërnec dhe Nartë, statusi i Sazanit dhe lidhjet e këtyre zonave me projektet e paralajmëruara turistike.

 

Megjithatë, përgjigjja e SPAK-ut ka qenë e njëjtë: nuk ekziston një hetim i hapur për Jared Kushnerin dhe as për projektet e lidhura me të në Zvërnec ose Sazan.

 

SPAK ka mohuar gjithashtu raportimet se kishte sekuestruar llogari bankare të kompanisë Albania Land Development, duke deklaruar se nuk kishte ndërmarrë një masë të tillë.

 

Qëndrimi i Prokurorisë së Posaçme vjen pas raportimeve ndërkombëtare që kanë lidhur hetimet për dokumentet e pronësisë dhe transaksionet e tokave në zonën e Zvërnecit me territorin ku është parashikuar zhvillimi turistik. Reuters ka raportuar se një biznesmen që ka shitur tokë në zonën e projektit dyshohet për falsifikimin e dokumenteve të pronësisë, por ka sqaruar se kjo nuk përbën domosdoshmërisht një hetim ndaj Kushnerit apo kompanive të tij.

 

Kështu, nga përgjigjja zyrtare e SPAK-ut rezulton se ekziston një procedim penal i mbuluar nga sekreti hetimor, por institucioni mohon kategorikisht që ai të ketë si objekt Jared Kushnerin ose projektet turistike të lidhura me të.

XS
SM
MD
LG