Rama s’i bind dot shqiptarët, thërret ChatGPT-në në mbrojtje të “Paketës së Maleve”
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur inteligjencën artificiale për t’iu përgjigjur kritikëve të “Paketës së Maleve”, duke publikuar në rrjetet sociale një shpjegim të gjatë që ia atribuoi ChatGPT-së.
Në postim, Rama kundërshtoi akuzat se ligji është hartuar për oligarkë, investitorë të mëdhenj apo shtetas të huaj. Sipas argumentit të shpërndarë prej tij, përfituesit realë janë familjet që prej vitesh posedojnë toka, kulla, stane ose ferma në zonat malore, por nuk kanë arritur të sigurojnë dokumentet e pronësisë.
Rama theksoi se aplikuesi duhet të provojë posedimin faktik shumëvjeçar, të paraqesë një projekt investimi dhe të përmbushë kushtet e kontratës. Vetëm pas realizimit të investimit mund të kryhet kalimi i pronësisë, ndërsa çmimi simbolik prej 1 euroje argumentohet si një mënyrë për të zhvilluar tokën shtetërore dhe jo për të siguruar të ardhura nga shitja e saj.
Sipas kryeministrit, ligji nuk është menduar vetëm për resorte, por edhe për bujtina, agroturizëm, ferma, punishte artizanale, përpunim produktesh vendase dhe aktivitete sportive ose natyrore. Ai pretendoi gjithashtu se prona private e regjistruar nuk preket dhe se konfliktet e pronësisë do të trajtohen sipas procedurave ligjore ekzistuese.
Megjithatë, vetë teksti i ligjit nuk kufizohet vetëm te formalizimi i pronës së banorëve. Ai përcakton si qëllim tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik e turistik, parashikon kalimin e pronave shtetërore te poseduesit jopronarë për 1 euro dhe përmban rregulla të posaçme për investitorët. Kjo është arsyeja pse kritikët vijojnë të ngrenë pikëpyetje mbi përfituesit përfundimtarë, procesin e verifikimit dhe rrezikun e ndërtimeve në zona të ndjeshme malore.
Postimi i Ramës prodhoi debat edhe për një arsye tjetër: në vend që qeveria të paraqiste një analizë institucionale ose juridike të hartuar nga ekspertët përgjegjës, kryeministri e paketoi mbrojtjen politike të ligjit si përgjigje të ChatGPT-së.
Në thelb, Rama kërkoi të bindte publikun se “Paketa e Maleve” nuk është ligj për të pasurit, por për familjet me prona të trashëguara e të paformalizuara. Megjithatë, përdorimi i inteligjencës artificiale nuk i mbyll debatet mbi ligjin dhe as nuk zëvendëson analizën juridike të kritereve, garancive dhe mënyrës se si do të përzgjidhen përfituesit.