Ramës nuk i besojnë më as të vetët: socialistët i përplasin në fytyrë administratën më të keqe në 114 vjet
As socialistët tradicionalë nuk i bind më Edi Rama kur flet për “Besë”. Edhe një tjetër ka dalë hapur pas Ermelinda Meksit që shkroi se: "Në demokraci, besimi nuk ndërtohet me simbolikë, por me institucione që funksionojnë, rezultate të prekshme dhe llogaridhënie, që janë kushte për besueshmërinë e qeverisjes. Besa nuk është thjesht një premtim për të ardhmen. Ajo matet me përmbushjen e angazhimeve, funksionimin e institucioneve dhe llogaridhënien, mbi të cilat ndërtohet besimi i qytetarëve te qeverisja.
Ish-kryetari i PS në Korçë, Muharrem Meko, i cili me një postim në rrjetin social, thekson se administrata e Ramës është më e keqja në 114 vite shtet, madje duke konkurruar edhe atë të Berishës.
Ai thotë se kjo qeveri ka larguar edhe të rinjtë nga vendi, kurse përgjegjës për “çorbën” është vetëm kryeministri.
“Oooo i Modh! Askujt mos iu anko; ti je përgjegjësi i vetëm për këtë zallamahi e çorbë që ke gatuar nën logon; Administrata Shtetërore …e që mjerë kujt i bie të ketë punë e të zgjidhë hall me të!”, shkruan ai mes të tjerash në postimin e tij në Instagram.
Meko vë në dukje edhe shprehjen e mendimeve dhe objeksioneve të tij për Administratën ndër vite, duke i deklaruar problematikat edhe publikisht:
“Personalisht jam shprehur hapur e prej kohësh se, në historinë 114-vjeçare të shtetit shqiptar, administratë të korruptuar e analfabetë të këtij standardi si kjo e sotmja, as ka patur e as do të ketë! Për hir të së vërtetës s’kishte se si të ishte ndryshe nga një gatesë bajate dhe e pështirë prej brumi të zënë, midis ish-administratës së Berishës, (keqfunksionimi i saj e ndëshkoj Saliun në vitin 2013 me 1 milion vota) dhe peshqesheve sorosjane; llumit G-99 e Mjaftistat që dikur si pelikanët e sotëm ulërinin rrugëve të Tiranës;- Nano ik-PS, ik!”, thotë ai.
Edhe deputetja e dalë nga listat e PS-së në zgjedhjet e 11 Majit 2025, por që tani është e pavarur në parlament, Marjana Koçeku ka reaguar ndaj fjalimit të djeshëm të Edi Ramës.
"Flasin për besën njerëz që nuk ia kanë idenë çka asht besa`shkroi ajo duke argumentuar se njerëzve që e humbin lidhjen me tokën, vendin e tyne dhe natyrën, nuk mund t’u zihet besë!"