Rothschild godet Ramën për Butrintin: Qeveria hoqi 802 hektarë nga mbrojtja, UNESCO ngre alarmin
Financieri britanik Nat Rothschild ka kritikuar politikën e qeverisë shqiptare ndaj Butrintit dhe zonave të mbrojtura, duke paralajmëruar se zvogëlimi i Parkut Kombëtar dhe ndryshimet ligjore për investimet turistike bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare dhe evropiane të Shqipërisë. Në reagimin e tij në X, Rothschild e vlerëson Edi Ramën si “një politikan të veçantë”, por kundërshton vendimin e vitit 2022 për reduktimin e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe ndryshimet ligjore të vitit 2024, të cilat lehtësuan ndërtime në zona të mbrojtura.
Dokumentet zyrtare tregojnë se sipërfaqja e parkut u zvogëlua me 802.2 hektarë, nga 9,424.4 në 8,622.2 hektarë. Sipas UNESCO-s, pas ndryshimit të kufijve, pjesë të sitit të Trashëgimisë Botërore dhe të zonës tampon mbetën jashtë mbrojtjes së Parkut Kombëtar.
UNESCO i ka kërkuar qeverisë shqiptare shpjegime për mënyrën se si do të mbrohen këto territore, si dhe pezullimin ose rishikimin e disa projekteve turistike dhe infrastrukturore që mund të ndikojnë trashëgiminë arkeologjike dhe mjedisin e Butrintit.
Edhe Komisioni Evropian ka kritikuar ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, duke vlerësuar se ato dobësuan mbrojtjen e natyrës dhe rritën rrezikun nga projektet e mëdha turistike.
Reagimi i Rothschild merr peshë të veçantë për shkak të rolit të familjes së tij në mbrojtjen e Butrintit. Babai i tij, Jacob Rothschild, ishte bashkëthemelues i Fondacionit të Butrintit, i cili për tri dekada financoi kërkime, restaurime dhe projekte për ruajtjen e sitit.
Ndërsa qeveria i paraqet ndërhyrjet si zhvillim ekonomik, dokumentet e UNESCO-s dhe Bashkimit Evropian tregojnë një tablo më shqetësuese: territore të nxjerra nga mbrojtja, projekte të nisura pa vlerësime të plota dhe presion në rritje mbi një nga pasuritë më të rëndësishme të Shqipërisë.