Edhe një tjetër thyerje në kampin e Berishës. Jola Hysaj në krye të Agjensisë së Turizmit: Jam demokrate, por jo me PD-në.
Jola Hysaj dy ditë më parë është emëruar drejtuesja e re e Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT). Hysaj, e cila më parë ka mbajtur detyrën e Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike.
Ish-sekretarja e PD dha dorëheqjen nga ky funksion në mars të vitit 2026. Ajo zëvendëson Zana Çelën, e cila drejtonte Agjencinë Kombëtare të Turizmit që prej 9 shkurtit 2023.
Emërimi i Hysajt pritet të ndezë debat në skenën politike, pasi vjen pas angazhimit të saj të mëparshëm në Partinë Demokratike. Në kohën e largimit nga PD, ajo njoftoi dorëheqjen nga funksioni partiak dhe nga anëtarësia në forcën politike, duke shpjeguar se vendimi lidhej me zhvillimet e brendshme dhe mënyrën e funksionimit të strukturave drejtuese në PD.
Ajo sqaron se bindjet e saj politike nuk kanë ndryshuar, por thekson se nuk është më pjesë e Partisë Demokratike. “Po, jam demokrate, por nuk jam me Partinë Demokratike. Jam me partinë e Shqipërisë turistike”, shprehet ajo. Në fund të reagimit, Hysaj u bën thirrje ndjekësve të respektojnë zgjedhjen e saj për të marrë drejtimin e një institucioni në një fushë ku, sipas saj, ka përvojë prej vitesh.