Lidhje


Nga Berisha te zyra e Ramës: ish-sekretarja e PD-së shpërblehet me drejtimin e Turizmit

 

Vetëm katër muaj pasi u largua nga Partia Demokratike, Jola Hysaj është emëruar në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, duke zëvendësuar Zana Çelën. Ish-sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD e konfirmoi vetë detyrën, pas një takimi me kryeministrin Edi Rama.

 

Hysaj tregoi se Rama i kishte thënë: “Nuk dua të bëhesh socialiste, dua të çosh më lart institucionin”, ndërsa ajo u përgjigj se mbetet demokrate, por tani është me “partinë e Shqipërisë turistike”. Një formulë elegante për të shpjeguar sëmundjen e vjetër të politikës shqiptare: partitë ndryshojnë, por karrigia shtetërore mbetet destinacioni përfundimtar.

 

Në mars, pas më shumë se 20 vitesh angazhim në PD, Hysaj u largua duke denoncuar vendimmarrjen e përqendruar, mungesën e transparencës dhe përjashtimin e njerëzve me integritet. Katër muaj më vonë, ajo u sistemua nga qeveria që kishte kundërshtuar politikisht, në një emërim që Rama mund ta shesë si “hapje”, ndërsa publiku ka të drejtë ta lexojë si kapitullin e radhës të riciklimit të elitave.

 

Hysaj ka një lidhje profesionale me sektorin, pasi figuron prej vitit 2017 në listën shtetërore të udhërrëfyesve turistikë të certifikuar. Por kjo nuk e zhduk pikëpyetjen politike: a u zgjodh drejtuesja më e mirë për turizmin, apo një tjetër ish-kundërshtare që Rama e ktheu në trofe të pushtetit?

XS
SM
MD
LG