GARA PËR KRYEPROKURORIN/ Gjashtë emra në betejë për të pasuar Olsian Çelën
Janë zyrtarizuar kandidaturat për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa në garë do të jenë gjashtë emra nga radhët e sistemit të prokurorisë. Burime të sigurta bëjnë me dije se kandidatët janë: kryeprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi; prokurorja në Eurojust, në mandatin e saj të dytë, Fatjona Memçaj; ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku; prokurori Ylli Pjetërnika; prokurorja e Tiranës, Rovena Bozo; si edhe prokurori i SPAK-ut, Adnan Xholi.
Procedura për përzgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm u çel nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), pasi në muajin dhjetor përfundon mandati shtatëvjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, Olsian Çela. KLP hapi zyrtarisht thirrjen publike për aplikime në fillim të muajit korrik, në përputhje me procedurat ligjore për zgjedhjen e kreut të organit të akuzës.
Pas verifikimit të kandidaturave dhe përfundimit të procedurave të vlerësimit, KLP do t'i propozojë Kuvendit listën e kandidatëve, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm do të zgjidhet me shumicën e cilësuar të votave, sipas përcaktimeve kushtetuese.