Lidhje


Kredi në emër të një të moshuare pa dijeninë e saj? Denoncimi ngre pikëpyetje ndaj iUTE Credit dhe përmbarimit D&A Fin Partner

Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ngre akuza serioze për mënyrën e dhënies së një kredie nga iUTE Credit, ku pretendohet se rreth 4 milionë lekë të vjetra janë marrë në emër të një të moshuare, pa dijeninë, praninë apo firmën e saj.

 

Sipas denoncuesit, persona të panjohur janë paraqitur në banesë me një automjet “Passat”, me targa AB008UE, duke u prezantuar si përfaqësues të Kryqit të Kuq për regjistrimin e ndihmave humanitare. Në këtë mënyrë, pretendohet se kanë marrë të dhënat personale dhe dokumentin e identifikimit të së moshuarës.

 

Dyshimi ngrihet pikërisht mbi mënyrën se si këto të dhëna mund të jenë përdorur më pas për të siguruar një kredi pranë iUTE Credit. Denoncuesi pretendon se e moshuara nuk ka aplikuar, nuk ka firmosur dhe nuk ka marrë asnjë shumë parash.

 

Situata bëhet edhe më shqetësuese pasi, sipas denoncimit, familjes i ka mbërritur një shkresë nga D&A Fin Partner, ku kërkohet shlyerja e një detyrimi prej 477,512 lekësh brenda 10 ditësh, me paralajmërimin për marrjen e masave mbi pasurinë në rast mospagimi.

 

Kështu, sipas pretendimeve të qytetarit, një person që deklaron se nuk ka marrë kredi dhe nuk ka përfituar asnjë qindarkë, përballet tashmë me procedurë përmbarimore.

 

Denoncimi ngre disa pyetje që kërkojnë përgjigje të qarta nga institucionet përgjegjëse dhe vetë kompanitë e përfshira: Kush ka aplikuar për kredinë? Si është verifikuar identiteti i aplikuesit? Kush e ka autorizuar disbursimin e shumës dhe mbi çfarë dokumentacioni është nisur procedura përmbarimore?

 

Në qendër të pretendimeve të denoncuesit përmenden drejtori Akan Ajdini, administratori i përmbarimit Anis Hoxha dhe pronari Dritan Abazi. Megjithatë, këto janë akuza të ngritura nga qytetari dhe kërkojnë verifikim dhe qëndrim zyrtar nga palët e përmendura.

 

Çështja mbetet tashmë për t’u sqaruar: nëse një kredi është marrë realisht në emër të një personi pa dijeninë e tij, kush mban përgjegjësi për verifikimin e identitetit dhe për pasojat që i janë shkaktuar qytetarit?

XS
SM
MD
LG