KLSH ngre alarmin te ministria e Gonxhes: Punime dhe pagesa pa leje në projekte publike
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një seri problematikash në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, të drejtuar nga Blendi Gonxhja, pas auditimit të zhvilluar në prill 2026. Gjetjet lidhen me zbatimin e projekteve publike, dokumentacionin teknik, lejet e ndërtimit dhe miratimet e detyrueshme. Në qendër të auditimit janë Mozaiku i Tiranës, Salla e Koncerteve në Universitetin e Arteve dhe Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura – Galeria e Arteve.
Sipas raportit, në Mozaikun e Tiranës punimet kanë nisur pa lejen përkatëse të ndërtimit. Edhe më problematike paraqitet situata në Galerinë e Arteve, ku KLSH konstaton se punimet kanë nisur dhe kanë vijuar pa një leje të vlefshme, ndërsa janë kryer edhe pagesa përpara pajisjes së objektit me leje.
Në Universitetin e Arteve, audituesit kanë evidentuar ndryshime të projektit dhe preventivit pasi punimet ishin kryer, pa miratimet e kërkuara, si dhe mospërputhje të karakterit teknik dhe financiar.
KLSH ngre gjithashtu shqetësime për mënyrën e administrimit të politikave të artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Sipas auditimit, objektivat e strategjisë së mëparshme nuk janë zbatuar në mënyrë efektive, ndërsa strategjia e re sektoriale ende nuk ishte hartuar dhe miratuar.
Raporti evidenton gjithashtu mungesë aktesh nënligjore dhe rregullash të qarta për financimin, ndarjen e përgjegjësive, kontrollin dhe administrimin e dokumentacionit.
Gjetjet e KLSH-së ngrenë kështu pikëpyetje serioze për mënyrën se si janë menaxhuar disa prej projekteve më të rëndësishme kulturore publike, veçanërisht për faktin se në disa raste punimet dhe pagesat rezultojnë të jenë kryer pa përfunduar më parë procedurat e nevojshme ligjore.